Vendosni fjalën kyçe....

Rama i dërgon letër Kurtit: Besoj se do kapërceni me sukses sfidat e qeverisjes


Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër urimi kreut të sapo zgjedhur të qeverisë të Kosovës, Albin Kurtit.

Rama uron Kurtin për detyrën e re në drejtimin e vendit, teksa rishpreh vendosmërinë për të zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai thekson se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë. Kryeministri Rama e ka ftuar Kurtin për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për të.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj, I dashur Albin,

Zgjedhja Juaj në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës më jep kënaqësinë t’Ju përcjell urimet e mia për sukses në drejtimin e vendit dhe përballimin e sfidave të qeverisjes.

Duke riafirmuar vendosmërinë time dhe të Qeverisë që unë kryesoj për t’i zgjeruar e intensifikuar më tej marrëdhëniet tona, unë besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19. Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetesës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve.

Unë mbetem gjithashtu besimplotë se Ju dhe ekipi Juaj qeverisës do t’i kapërceni me sukses sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës në përparimin e saj të gjithanshëm demokratik e integrues në rajon dhe më gjerë, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.

Me urimet më të mira për sukses të Kabinetit Tuaj qeveritar dhe me ftesën e përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Sinqerisht Edi Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *