Vendosni fjalën kyçe....

“Aktori më i mirë”- Anthony Hopkins hyn në histori si aktori më i vjetër që nominohet për çmimin Oskar


Anthony Hopkins ka hyrë në histori, si artisti më i moshuar që nominohet për një çmim “Oscar” si aktori më i mirë në rol kryesor.

Në moshën 83-vjeçare, aktori britanik është nominuar për rolin e tij në filmin “The Father”, një film për një burrë që lëviz në banesën e vajzës së tij ndërsa lufton me humbjen e kujtesës.

Hopkins luan së bashku me Olivia Colman në këtë film, e cila është nominuar si aktorja më e mirë në rol dytësor, për rolin si vajza e tij Anne.

Siç shkruan Daily Mail, rekordi i mëparshëm për të nominuarin më të moshuar në kategorinë e Aktorit më të Mirë mbahej nga Richard Farnsworth. Ai ishte 79 vjeç kur u nominua për rolin e tij në filmin “The Straight Story” në vitin 1999.

“The Father” është filmi i dytë më i nominuar në ceremoninë e këtij viti me plot shtatë nominime, ndërsa filmi tjetër “Mank” ka marrë dhjetë të tilla.

Anthony Hopkins ka fituar më parë një Oskar si “Aktori më i Mirë” në vitin 1992, për rolin e tij si Hannibal Lector në filmin “The Silence of the Lambs”.

Ai është nominuar për një çmim Oskar në katër raste të tjera, në vitet 1994, në 1996, në 1998 dhe në 2020-ën.