Vendosni fjalën kyçe....

Atentati ndaj Gjon Menës, zbardhet dëshmia e të penduarit: Gjergj Cukali më kërcënoi, tritolin e solli ai  


Është zbardhur dëshmia e njërit prej personave të arrestuar për atentatin ndaj Gjon Menës në Kamëz në 9 shkurt 2021.

Për ngjarjen janë arrestuar tre persona, mes të cilëve edhe Gjergj Cukali, i cili akuzohet si porositësi i atentatit.

Enver Jamaku ka dëshmuar se Gjergj Cukalin e njeh prej pesë vitesh kur i ka blerë një mjet.

“Kur bleva mjetin dhe e telefonova ai më tha se ishte Gjergj Cukali dhe unë e njihja përmes mediave sepse kishte probleme me drejtësinë. Më pas jemi takuar herë pas herë përfshirë dhe në varrimin e një personazhi të njohur të botës së krimit. Sa i përket atentatit ndaj Gjon Menës, ku mbeti i plagosur, një ditë dikush më thirri ‘Velo’ dhe ktheva kokën. Nuk e kuptova pse më thirri kështu, por pashë se po më thërriste Gjergj Cukali. Ai tha se kishte një punë për mua, por fillimisht nuk doja të përfshihesha në aktivitetin e tij kriminal. Më tha se do të më paguante 30 mijë euro nëse do të vija minën me celular në automjetin e një personi, më shpjegoi arsyet dhe vendin ku unë duhet ta vendosja minën. Fillimisht nuk pranova, por më pas duke qenë se jam pa punë dhe pa shtëpi, vendosa ta kryej këtë punë me qëllim që të blej një banesë për veten dhe familje.” – ka thënë Jamaku, raporton gazetarja Klodiana Lala për BW.

Jamaku shton më tej në dëshminë e tij se e ka takuar disa herë Cukalin ndërsa për të vënë minën në mjetin e Menës ka kërkuar edhe ndihmën e kushëririt të tij, Ermond Jamaku.

“Pashë që ishte një djalë rreth 35-40 vjeç. Ishte rreth 185 cm i gjatë dhe kishte flokë të rëna dhe kishte karakteristike mjekrën e dalë. Për këtë arsye vendosa të kërkoja ndihmën e kushëririt tim, Ermondit për ta finalizuar me sukses punën.” – shton Jamaku në dëshminë e tij.

Sipas Jamakut, Cukali i kishte premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për të vënë minën në mjetin e Gjon Menës. Ai dëshmon më tej edhe dinamikën e ngjarjes që nga ndjekja e shënjestrës, te vënia e shpërthimi i tritolit në mjetin e Menës.

“Nëpërmjet rrjeteve sociale gjeta një automjet dhe e bleva për 800 mijë lekë të vjetra, në zonën e Kasharit dhe më pas kam lidhur një kontratë tek noteri në zonën e Astir-it. Këtë automjet do e përdorja për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit dhe më pas do e shisja. Do e mbaja deri sa të kryeja atentatin dhe më pas do e dërgoja në zonën e Brarit. Fillimisht nuk arritëm ta vinim minën me celular, disa herë i kërkova Ermondit të shkonte atje. Ai shkoi rreth 7-8 herë gjatë ditës, por nuk arriti ta vinte sepse kishte lëvizje dhe mund të pikasej nga kamerat e sigurisë. Në një moment Gjergj Cukali më telefoni dhe më kërcënoi. Më tha që nëse nuk e vendos brenda natës së sotme do t’i kesh punët keq. Për këtë arsye duke qenë se janë në fuqi dhe rregullat e karantinës, vendosëm të kalonim në periferi të Tiranës, në rrugë dytësore, të pashtruara që të mbërrinim tek banesa e Menës. Kur mbërritëm atje, kemi qëndruar nga ora 12 e natës deri në orën 5 të mëngjesit. Ermondi shkoi dhe e vuri minën me celular dhe në momentin që do lëvizte shënjestra duhet ta shpërthenim, që Mena të ndërronte jetë.” – ka pohuar Enver Jamaku.

Atentati ndaj Gjon Menës ndodhi në datën 9 shkurt 2021 por shpërthimi i lëndës plasëse nuk e vrau Gjon Menën por vetëm e plagosi atë.

Gjatë hetimit është zbuluar se lënda plasëse nuk ishte vënë në mjet, por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga krahu i shoferit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *