Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për sulmin e Veliajt ndaj “Ora News”-it: Ylli Ndroqi të bëjë publike bisedën me Ramën


Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me përplasjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt, me televizionin “Ora News”.

Gjatë një prononcimi për këtë televizion, Berisha tha se “Ora News” nuk pranoi të shitej e blihet nga kryeministri Edi Rama dhe nga kryebashkiaku Veliaj dhe për këtë arsye vijnë sulmet ndaj televizionit.

Ai mes të tjerash përmendi një telefonatë mes presidentit të Yldon Media Group Ylli Ndroqi me kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar Ndroqit që ta bëjë publike.

“Qëndrimet ndaj Ora News janë të diktuara tërësisht nga politika editoriale e gazetarëve dhe të drejtuesve të Ora News. Le të marrim pronarin, ka një problem këtu. Unë e ftoj atë të nxjerrë dhe të bëjë publike bisedën me Edi Ramën për një portë që të marrin vesh shqiptarët të vërtetën se kush është Edi Rama. Nuk duhet të heshtë z. Ndroqi, se në atë bisedë ka pasur edhe ngërçe të tjera. Ua them unë me përgjegjësi të plotë. Nuk është bisedë midis dy vetëve, ndaj është e domosdoshme të bëhet transparencë për të gjitha këto marrëdhënie.

Ylli Ndroqi ka 15 vite që drejton një institucion mediatik dhe kur ky televizion nuk pranoi që të shitet dhe të blihet nga Rama dhe Veliaj, atëherë ai u konfiskua dhe u vendos në një rrethim policor për t’ju bërë presion gazetarëve, të cilin unë e kam dënuar dhe e dënoj. Ka vetëm një qëllim, që t’i rezervojë këtij televizioni fatin e Agon Channel. Por jam i sigurt që do të marrë përgjigjen që mori nga Agon Channel.

Ligjet tregtare janë ligje tregtare. Ligjet e mediave janë ligje mediesh. Ndaj nuk ka qëndrim tjetër të Edvin Ramës përveç urrejtjes që ka për faktin e qëndrimit të pavarur, kritik të stafit të Ora News. Dhe njëherë e fton Ndroqin ta bëjë publike atë bisedë, se nuk ka qenë një bisedë midis dy vezëve.”– ka deklaruar Berisha.

Ky qëndrim i Berishës, vjen pas pretendimeve të televizionit Ora News se kryebashkiaku Erion Veliaj po e shantazhon duke kërkuar mbylljen e tij, pas publikimit të përgjimeve për Ndranghetan. Kjo pas deklaratave sulmuese të Veliajt për televizionin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *