Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje Ramës: Rimburso urgjent kostot e të prekurve nga Covid-19, babëzia në pandemi është edhe më kriminale


Presidenti Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të rimbursojë urgjentisht të gjithë pacientët e infektuar me Covid-19.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se pacientët e prekur nga virusi dhe familjarët e tyre kanë humbur kursimet apo kanë hyrë në borxhe për të paguar koston e lartë të barnave e analizave të shumta.

“Dëshmitë e pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe të afërmve të tyre tregojnë se me mijëra familje kanë humbur kursimet apo po hyjnë në borxhe në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme për të përballuar koston e lartë të barnave dhe analizave të shumta. Qeveria duhet urgjentisht të RIMBURSOJË pa asnjë vonesë të gjithë qytetarët, të cilët janë kuruar në shtëpi dhe t’u garantojë ILAÇET FALAS të gjithë të infektuarve.” – shkruan Meta.

Presidenti thekson më tej se propaganda me shëndetësinë falas duhet të marrë fund dhe se qytetarët nuk mund të lihen më në mëshirë të fatit përballë pandemisë.

Po kështu Meta kërkon bërjen transparente të planit të vaksinimit duke shtuar se babëzia në pandemi është kriminale.

“Dokrrat me “shëndetësinë falas” dhe çdo demagogji tjetër duhet të marrin fund! Qytetarët nuk mund të lihen më në mëshirë të fatit përballë një virusi kaq të rrezikshëm, që vetëm dje mori 21 jetë, shifër rekord për numrin ditor të viktimave. Urgjentisht të bëhet transparent plani i vaksinimit masiv dhe jo “klasor” i popullatës dhe të ndryshohet rrënjësisht strategjia antiCOVID, mbështetur mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda e jashtë vendit. “Babëzia” në pandemi është edhe më kriminale! I vetmi prioritet dhe preokupim duhet të jetë: Mbrojta e shëndetit dhe jetës së qytetarëve!” – mbyll Meta reagimin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *