Vendosni fjalën kyçe....

I kapet kanabis, kokainë e pistoletë pa leje, pranga 27-vjeçarit në Shkodër


Një 27-vjeçar është arrestuar në Shkodër ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht.

Ata akuzohen për shitje lëndësh narkotike ndërsa gjatë kontrollit në banesën e të riut policia ka gjetur një pistoletë me fishekë, 800 gramë kanabis, një sasi droge e dyshuar kokainë e ndarë në doza, 2 peshore elektronike e sende të tjera.

Në pranga ka rënë i riu me iniciale Z.M. banues në fshatin Golem, Shkodër ndërsa janë proceduar penalisht 24-vjeçari E.D. banues në Shkodër e 27-vjeçarja F.M. banuese në Tiranë.
Njoftimi

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Vespa”, të zhvilluar tre ditë më parë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 4 shtetas dhe u sekuestruan armë zjarri dhe drogë e llojeve të ndryshme, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas një pune të mirorganizuar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, finalizuan fazën e dytë të këtij operacioni.

Si rezultat i u arrestua në flagrancë shtetasi Z. M.(K.), 27 vjeç, banues në fshatin Golem, njësia administrative, Rethina, Shkodër, si dhe nisi procedimi penal për shtetasit E. D., 24 vjeç, banues në Shkodër dhe F. M., 27 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga veprimet hetimore proaktive, të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, dyshohet se shtetasi Z. M.(K.), në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, ushtronte aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, kokainë dhe kanabis, në qytetin e Shkodrës.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Z. M.(K.) dhe kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë, 800 gramë kanabis, një sasi kokaine të ndarë në doza, shuma parash (euro dhe lekë), 2 peshore elektronike, 2 automjete, 5 aparate celulare dhe pajisje të tjera që shërbenin për paketimin e lëndëve narkotike në doza.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.”