Vendosni fjalën kyçe....

Si e sulmoi Isa Mustafa kandidaten për presidente Vjosa Osmani


Ish-kreu i LDK-së, Mustafa, i cili u dorëhoq para pak ditësh, ka sulmuar kandidaten për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani.

Përplasja e tyre nuk është ngjarje e re, pasi vijon prej shumë muajsh tashmë, por më e fundit vjen pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 14 shkurtit nga ana e LDK-së, që u rendit në vendin e tretë.

Teksa flet për qeverisjen e vendit nën LDK-në dhe për karrierën e tij si kryebashkiak i Prishtinës, në fund të reagimit të tij në Facebook ai sulmon edhe Osmanin.

Ai shkruan se ata që kanë kaluar me Vetëvendosjen nuk u kanë treguar qytetarëve të Kosovës se çfarë u ofrojnë atyre në aspektin ekonomik e për sa i përket integrimit në BE e NATO.

Po kështu Mustafa thotë se pretendimet e Osmanit se nuk i është dëgjuar zëri janë të pavërteta.

“Njerëzit që kanë kaluar në Vetëvendosje, nuk kanë treguar asnjëherë se çfarë ata i ofrojnë këtij vendi në aspektin ekonomik, zhvillimor, të partneritetit euroatlantik, por veç se ia kanë dhënë besën Vetëvendosjes. Nuk kanë ofruar asgjë përpos njëzet fjalive me kritika. Sepse nuk dinë më shumë. Të tjerët që sot në studio televizive thonë se nuk është dëgjuar zëri i tyre, nuk e thonë të vërtetën, sepse nuk kanë pasur asnjë zë të artikuluar përveq pozicionimit abstenues e abstenimi është mungesë e qëndrimit, blerje kohe, në stilin ta shohim si del.” – shkruan ndër të tjera Mustafa në statusin e tij.

Mustafa shton më tej se Osmani nuk ka ofruar asnjë përgjigje në debatet e fundit televizie pëër sa i përke zhvillimit të vendit, përmbylljen e dialogut me Serbinë apo marrëdhëniet me SHBA-në. Ai e mbyll reagimin me premtimin se LDK-ja do kthehet më e fortë.

“Nëse e keni përcjellur me kujdes debatin e fundit të “zotit Kryeministër”dhe të “znj Presidente”,  do të ishte mirë të ia sqaroni vetes të nderuar qytetarë dhe të nderuar ju votues të deridjeshëm të LDK-së se cilat ishin përgjigjet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Për zhvillimin ekonomik, për përmbylljen e dialogut, për relacionet me SHBA-të. Unë nuk vërejta asnjë përgjigje por vetëm ikje nga përgjigjet. Mungesë elementare të dijes për të qeverisur. Për dallim prej disa bashkëpunëtorëve të mij, unë nuk e kam uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e saj. Jo se e urrej por se nuk ia dua vendit tim të sundohet nga asnjë parti politike; se nuk gjej arsye të  uroj votuesit e deridjeshëm të LDK-së se kanë kaluar në Vetëvendosje,  sepse LDK nuk heq dorë nga ata.  Sepse LDK nuk dorëzohet. Do të kthehet edhe më e fortë. Unë kam besim të plotë në njerëzit me të cilët kam punuar, në punën time të pastër që e kam bërë në LDK dhe në të gjitha detyrat tjera. Jam i bindur se dëmtimi i LDK-së me votat e fundit është krejtësisht i padrejtë dhe rezultat i propagandës populliste.” – mbyll reagimin Mustafa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *