Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Piramida”/ Gjykata e Korçës lë në burg 7 të arrestuarit për trafik droge


Gjykata e Korçës ka lënë në burg të arrestuarit e dy operacioneve policore të akuzuar për transport dhe shitje narkotikësh.

Seanca është zhvilluar ditën e djeshme, ku para trupit gjykues kanë dalë Ahmetion Myslimi (transportues), Mariglen Arapi (transportues) , Mario Tanellari (organizatori) , Xheljan Ajdini, Elvi Tahiri (subjekt i OFL), Niko Janko, Mikail Mejdi.

Arrestimet u bënë gjatë operacionit të koduar ‘Piramida’, ku më herët janë arrestuar edhe 5 pjesëtarë të tjerë të këtij grupi kriminal gjatë dy operacioneve antidrogë të finalizuar më parë “Lapidari” dhe “Pusteci”, të zhvilluara më datë 08.11.2020 dhe 14.01.2021.

Pas dy operacioneve  “Lapidari” dhe “Pusteci”, policia arriti të faktojë edhe implikimin e 7 personave të tjerë duke zhvilluara operacionin e tretë ”Piramida”.

Në operacionin e koduar “Pusteci”, u arrestuan në flagrancë Redin Naçi dhe Ismail Matja dhe u sekuestrua në cilësinë e provës 21 kg e 500 gr, lënde e dyshuar narkotike kanabis, nga hetimet e kryera rezultoi se transportues të lëndës narkotike përveç dy të arrestuarve ishin edhe Ahmetion Myslimi dhe Mariglen Arapi. Në rolin e organizatorit të këtij grupi rezulton Mario Tanellari, dhe posedues të sasisë së lëndës narkotike janë Xheljan Ajdini dhe Elvi Tahiri.

Në operacionin “Lapidari”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Artur Bezo dhe Aleks Qiqi dhe u sekuestrua 2 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kanabis, u dokumentua se   lënda narkotike ishte blerë për Mario Tanellari.

Në lidhje me ngjarjen e datës 08.06.2020, ku në Kolonjë u arrestua në flagrancë shtetasi Sergi Xhaferi dhe u sekuestrua 6 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, u dokumentua se të implikuar në këtë ngjarje ishin shtetasit N. J. dhe Mikail Mejdi, në lokalin e të cilit në Ersekë, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të dyshuar narkotike kanabis.

Në cilësinë e provës materiale në ngjarjet e mësipërme u sekuestruan në total 23 kg e 600 gr sasi e dyshuar narkotike kanabis; 6 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë; 1 armë gjahu teke; 7 automjete; 16 celularë; sasi në lek dhe euro.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *