Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku i përgjigjet Ramës: Plani i vetëm është sulmi ndaj opozitës, angazhimet tona janë konkrete dhe të realizueshme


Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas komenteve dhe talljeve të këtij të fundit lidhur me programin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit.

Tabaku shprehet se pas çdo dështimi, kryeministri del duke sulmuar planin e PD-së, apo të shpallë ndërtimet imagjinare të aeroporteve.

“Rama nuk ka nje bilanc te qeverisjes, pas 8 vite deshtimesh ai ka dalë nëpër Shqipëri duke sulmuar opozitën. Sepse ky është dhe plani i vetëm që ka. Sa herë dështon Rama shpall ndërtimet imagjjnare të porteve dhe aeroporteve.

Pas çdo dështimi ai nis të sulmojë planin e PD. Ndërkohë angazhimet tona janë konkrete dhe të realizueshme.”– deklaron Tabaku.

Ajo përsërit premtimet e kryedemokratit Basha dhe pikat në programin ekonomik e të Arsimit të PD-së, nga rritja e pensioneve, e pagave për mjekët dhe mjekët.

“Ne do t’i ofrojmë 650.000 pensionistëve jo më lëmoshën Rama, por një pension dinjitoz dhe mbi të gjitha një rritje të pensioneve çdo vit minimalisht 5%.

Do t’i rrisim pagat për arsimin me 60% dhe nga kjo politikë do të preken së paku 36 mijë arsimtarë.

Do të rrisim pagat e 4500 mjekëve në 1200 euro ndërkohë që pagat e 14 mijë infermierëve do t’i çojmë në 700 euro.

Ne jemi angazhuar se do të marrim vendime të vështira dhe do të zhbëjmë abuzimet 8 vjeçare korruptive me kosto për buxhetin e shtetit. Janë milionat e eurove korruptive që gjenden në buxhet dhe keqpërdoren nga qeveria.

Shqipëria Fiton kur shqiptarët jetojnë më mirë, kur buxheti i shtetit nuk vidhet. Edi Rama humbet kur praktikat korruptive që i kushtojnë shqiptarëve 7.2 mld euro do t’i rikthehet familjeve të shqiptarëve. Prandaj në 25 prill shqiptarët do të votojnë për një Shqipëri që Fiton.”- tha Tabaku.

Ky reagim i Tabakut vjen pasi Rama këtë mëngjes e cilësoi planin e PD-së si një “menu me pjata bosh imagjinare”, ndërsa gjatë një takimi në Gjirokastër tha se këto ditë do të shpallen fituesit e garës ndërkombëtare të aeroporteve në Vlorë dhe në Kukës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *