Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, u mburr sot në një intervistë televizive se përmbytjet në kryeqytet këtë vit kanë qenë periferike, ndryshe nga disa vite më parë.
Ai tha se ankesat kanë qenë në lagje informale e periferike, ndërsa theksoi se nuk duhet ndërtuar më pa plan e dokudo.
“Ka qenë një fundjavë e vështirë dhe fatmirësisht shirat na kanë dhënë pak frymëmarrje, kanë pushuar. Krahasuar me vite më pare, le të themi 5 vite më përpara, ku Lana fryhej e shkonte në gjithë akset rreth unazës sot ankesat i kemi periferike. Kryesisht në lagje të karakterit informal, në zona kodrinore, ku janë prerë pemët.
Megjithatë lajmi i mirë është se nuk ka rrezik apo zhvendosje të shtëpisë, megjithatë do duhet të bëjmë disa pilotime në disa zona, ku është ndërtuar në terrene të papërshtatshme. E kuptoj kanë qenë vitet ’90, vite të vështira por duhet të japim mesazhin që nga tani e tutje nuk mundet të vazhdojë një ndërtim dokudo, sepse ka edhe kosto të lartë betonimi i kodrave, por lajmi më i mirë është që nuk kemi patur tragjedi.”- tha Veliaj.
Ai vazhdoi t’u kërkonte qytetarëve bashkëpunim lidhur me këtë çështje: “Lus qytetarët për bashkëpunim, jo vetëm tani por edhe në ditët me diell. Kur natyrës t’i kthejmë haraçin e mos ndërtojmë kuturu.”