Vendosni fjalën kyçe....

I bleu punonjësit të repartit ushtarak 1 ton gëzhoja predhash, në pranga 30-vjeçari


Policia e Durrësit ka zbuluar një sasi prej 1 ton gëzhojash me predha në një pikë skrapi në qytetin bregdetar. Lidhur me ngjarjen është arrestuar një 30-vjeçar, i cili punonte në pikën e skrapit.

Ndërsa kanë nisur hetimet për personin që i ka shitur atij gëzhojat, i cili besohet se është punonjës në repartin ushtarak në Shijak.

 “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe sekuestrimin e sendeve të përfituara në mënyrë të paligjshme, gjatë kontrollit të ushtruar në një pikë skrapi në Maminas, gjetën dhe bllokuan 1 ton gëzhoja predhash, me vlerë 2 milion lekë të vjetra.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi: R. Q., 30 vjeç, banues në Qerret, punonjës në pikën e skrapit.

Gjithashtu janë kryer veprimet nga ana e Policisë Ushtarake për shtetasin G. L., 32 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, me detyrë punonjës në repartin ushtarak, Shijak, i cili i ka shitur shtetasit R. Q., gëzhojat  e bllokuara.” – thuhet në njoftimin e policisë.