Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Brenda 4 vitesh çdo marrëdhënie me bizneset do jetë online


Kryeministri Edi Rama po zhvillon një konferencë për mediet me ekonominë në Fokus. Ai është i shoqëruar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj si dhe Drejtorja e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.

Edhe pse këtij mandati qeverisës po i vjen fundi dhe do të jenë zgjedhjet që do të vendosin nëse Rama do vijojë të drejtojë me një mandate tjetër katër-vjeçar, kryeministri flet i sigurt që do vijojë të jetë dhe katër vitet e ardhshme në pushtet.

Rama deklaroi se në katër vitet e ardhshme qeveria e tij ka synim që çdo marrëdhënie e biznesit me qeverinë, me konsumatorin dhe mes bizneseve do të jenë online.

“Krahasuar me djeshmen është një situatë qartësisht e ndryshme dhe është një situata ku qartësisht mund të shihet e nesërmja. Si situata pas tërmetit ishte situata e të gjithë të dhënave nga aspekti ekonomik dhe fiskal. Sipas shifrave të regjistrit të punës në Republikën e Shqipërisë në vitin 2013 kishte mbi 475 mijë  të regjistruar, në fund të vitit 2019 mbi 698 mijë. Hapeni dhe shikojeni. Janë apo nuk janë 225 mijë?

Është krejtësisht e dukshme se kush mund ta ndërtojë. Sot nuk ka sesi bizneset të mos ndihen të lehtësuar në raport me 7 vite më parë. Biznesi i vogël zero taksë. Nuk ka sesi të mos ndihen të lehtësuar.

Por nuk ka sesi të ndihen të lumtur dhe të kënaqur kur në të njëjtën kohë duhet të përballen me arbitraritetin e administratës tatimore. Puna jonë do të thotë largim përfundimtar i elementit abuziv nga kontrollet e drejtpërdrejta nga njeriu.

Ajo që do të realizojmë është se brenda 4-vjeçarit të ardhshëm gjithçka do të jetë online për biznesin dhe i gjithë sistemi i punës me shkop në dorë do të kthehet në një sistem pune me mendje në kokë. Gjithë ai zinxhir problemesh që krijojnë hapësirë për informalitet. Do ta fiskalizojmë komplet marrëdhënien.”, tha Rama.