Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj: I trishtuar të shoh sulmin e verbër ndaj Kongresit, filozofitë intolerante duhen shtypur nëse është e domosdoshme


Duke iu referuar hyrjes së mbështetësve të Donald Trump në ndërtesën e Kongresit amerikan, ish-ministri i Brendshëm Lleshaj, shkruan se demokracia duhet të vetëmbrohet.

Ai citon filozofin e njohur Karl Poper, duke theksuar se toleranca e pakufishme çon në zhdukjen e tolerancës.

“Demokracia duhet të vetëmbrohet. Karl Popper e shihte si domosdoshmëri aftësinë e demokracive për vetëmbrojtje. Mësimet e tij më erdhën të parat në mendje sonte, teksa shihja me trishtim të thellë sulmin e verbër të një grushti njerëzish kundër Capitol Hill, simbolit më të lartë të demokracisë në botën e sotme, shpresës më të madhe për lirinë dhe demokracinë në mbarë botën. Ja çfarë shkruan Popper në vitin 1945, pasi bota kishte paguar një çmim të tmerrshëm për tolerancën e treguar përballë ekstremizmit: “TOLERANCA E PAKUFISHME SJELL ZHDUKJEN E TOLERANCËS. Nëse ne e shtrijmë tolerancën e pakufishme edhe mbi ata që janë intolerantë, nëse ne nuk jemi të përgatitur për të mbrojtur një shoqëri tolerante përballë sulmeve të intolerantëve, atëherë tolerantët do të shkatërrohen dhe bashkë me ta edhe toleranca.” – shkruan Lleshaj.

Ish-ministri shton më tej se filozofitë intolerante nuk duhen shtypur për aq kohë sa është e mundur përballja me to përmes argumenteve racionalë.

Megjithatë Lleshaj thekson se shoqëria duhet të mbrojë të drejtën për t’i shtypur ato me forcë nëse është e domosdoshme, në mënyrë që në emër të tolerancës, intolerantët të mos tolerohen.

“Me këtë formulim unë nuk nënkuptoj, për shëmbull, që ne duhet të shtypim përherë shprehjet e filozofive intolerante; për aq sa ne mund të përballemi me to përmes argumeteve racionalë dhe t’i mbajmë nën kontroll përmes opinionit publik, shtypja do të ishte e paarsyeshme. Por ne duhet të mbrojmë të drejtën për t’i shtypur ata edhe me anë të forcës, nëse kjo është e domosdodshme; sepse mund të rezultojë që ata nuk janë të përgatitur për t’u përballur me ne përmes argumenteve racionale, por vetëm për denoncimin e çdo argumenti; ata mund t’ua ndalojnë pasuesve të tyre dëgjimin e argumenteve racionale me pretendimin se ato janë mashtrime dhe t’i mësojnë ata që përgjigjen përmes grushtave apo pistoletave të tyre. Për këtë arsye, ne duhet të mbrojmë të drejtën, që në emër të tolerancës të mos tolerojmë intolerantët.” – mbyll reagimin Lleshaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *