Vendosni fjalën kyçe....

Edmond Panariti jep arsyet: Pse Meta e ktheu projektligjin e “Buxhetit 2021”


Shefi i Kabinetit në Presidencë Edmond Panariti, ka dalë në një deklaratë për mediet ku jep arsyet se përse presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend projekt-ligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Arsyeja kryesore që jep Panariti për marrjen e këtij vendimi nga Meta, është fakti se sipas tij në këtë projektligj nuk parashikohet një mbështetje e mjaftueshme për të përballuar pandeminë dhe pasojat e saj si dhe nevojat emergjente për mbështetjen e pacientëve që do kenë nevojë për trajtim spitalor, apo në shtëpi.

Ai përmend gjithashtu se nuk parashikohen programe për të mbështetur bizneset apo papunësinë.

“Për kthimin e këtij projektligji në Parlament është fakti se nuk parashikon mbështetje të mjaftueshme dhe të nevojshme për të përballuar pandeminë e Covid 19 si dhe pasojat e saj.

Në një kohë kur të gjithë projeksionet e institucioneve ndërkombëtare parashikojnë një rritje të përshkallëzuar të përhapjes së pandemisë, që do të thotë rritje të numrit të të infektuarve, rritje të nevojave për trajtim mjekësor të pacientëve, në buxhet nuk parashikohet një mbështetje e mjaftueshme pikërisht për këto nevoja emergjente. Nuk parashikohen nevojat e mbështetjes për trajtimin spitalor apo trajtim nga shtëpia.

Ne do të kemi pritshmëri për numrin e pacientëve që do të kenë nevojë për shtrim, nuk kemi parashikuar para të mjaftueshme për blerjen e pajisjeve jetëshpëtuese, për blerjen e medikamenteve.

Kjo është arsyeja thelbësore e kthimit të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm, por një arsye tjetër jo më pak e rëndësishme është se nuk parashikohen programe për të mbështetur biznesin e vogël, fasoneritë, turizmin, nuk parashikohen fonde të mjaftueshme për të përballuar pasojat e papunësisë për shkak të pandemisë.

Sipas statistikave, numri i vendeve të humbura llogaritet 50 mijë. Shqipëria mbetet vendi i fundit në rajon për paketat financiare në ndihmë të biznesit në tërësi dhe atij të vogël në veçanti.”– deklaroi Panariti.

Shefi i Kabinetit thotë se një tjetër arsye lidhet me zgjerimin e projekteve të Partneritetit Publik Privat (PPP) me ofertë të pakërkuar, përkundër rekomandimeve të Institucioneve Ndërkombëtare.

“Një arsye tjetër që dua ta ndaj me ju, që ka detyruar presidentin të rikthejë projektligjin, është se nuk janë zbatuar rekombandimet e institucioneve ndërkombëtare për të mos zgjeruar projektet e PPP, sidomos ato me ofertë të pakërkuar.

Kur pritej të kish një tërheqje dhe pezullim të këtyre projekteve, pikërisht për të adresuar këto nevoja emergjente, përkundrazi parashikohet një rritje e pagesës për këto PPP me 21% nga një vit më parë. Kjo nuk është e justifikueshme. Nevojat për financim të shtresave në nevojë, për mjete spitalore janë gjithmonë e më shumë në rritje.

Një tjetër arsye, është që nuk ka objektiv për uljen e papunësisë dhe rritjen e punësimit. Ju e dini, se brezi i të rinjve tanë është prekur më së shumti nga papunësia ndërsa në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm nuk ka fonde të mjaftueshme për të zbutur këtë plagë të hapur. Ndërsa nuk është parashikuar as fond i mjaftueshëm për uljen e varfërisë, veçanërisht për grupet në nevojë.”– tha Panariti.