Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta zv/kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi


Ndahet nga jeta në moshën 37-vjeçare zëvendës kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi.

Ai kishte pësuar një goditje cerebrale e për pasojë ishte shtruar në spital prej disa ditësh. Ditën e djeshme qarkulloi lajmi nëpër media se ai kishte ndërruar jetë, por bashkia e Elbasanit e përgënjeshtroi lajmin duke thënë se është e pavërtetë por se ai ndodhej në gjendje kome.

Por fatkeqësisht sot Saraçi ka ndërruar jetë dhe lajmin e ka konfirmuar kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

“Kur më thanë që kishe pësuar një goditje celebrale nuk doja ta besoja, Ti ishe aq energjik, aktiv dhe me një vullnet për tu admiruar përballë çdo sfide që të rezervonte jeta.

Ishim të gjithë të sigurtë që do ia dilje mbanë ashtu siç ia dilje të ngjisje majat e larta të Shqipërisë mes dëborës.

Ti ishe krah meje që në fillim të rrugëtimit tim, në Prefekturë, gjatë betejës së 30 Qershorit, në ditët e para në bashki dhe falë punës tënde të shkëlqyer arritëm të menaxhonim më së miri tërmetet dhe pandeminë.

Ervini mbante një dashuri të veçantë për Elbasanin, që e përktheu në dedikim, përkushtim e punë të palodhur për qytetin tonë.

Do të të kujtoj gjithmonë ashtu të qeshur buzagaz dhe me atë energjinë e mirë e pozitive që përcillje. Baba i përkushtuar për Enesin e vogël, bashkëshort i dashur për familjen dhe mik i shtrenjtë për këdo që pati fatin të të njohë.

Ikja jote e parakohshme na pikëlloi pafund!

Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe!

S’do të jeni kurrë vetëm!

Lamtumirë mik i mirë! Do na mungosh!”– shkruan Llatja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *