Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Vetëm para tre ditësh, Janullatos u dërgua me avion drejt Greqisë pasi ishte i prekur nga Covidi.
Sipas njoftimit të Kishës Ortodokse, Kryepeshkopi ndodhet nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve, të cilët ai i falenderon. Po ashtu thihet se Janullatos shpreh falenderime dhe për të gjithë besimtarët dhe njerëzit e shumtë që i uruan atij shërim të shpejtë.
“Kryepiskopi vazhdon me simptoma të lehta dhe merr urime të shumta për shërim të shpejtë.
Gjendja shëndetësore e Kryepiskopit Anastas këto 4 ditë vazhdon të jetë me simptoma të lehta, e qëndrueshme dhe nën kontrollin e vazhdueshëm dhe të përkushtuar të mjekëve.
Në përshëndetjen pas shtrimit në spitalin ‘Evangelismos’, Fortlumturia e Tij Anastas theksoi se “Rrugëtimi ynë në Shqipëri nisi me përshëndetjen ‘Zoti është me ne’ dhe me përgjigjen në kor “edhe ne me Zotin”, që na mbështeti në sigurinë se ‘Perëndia nuk do të na braktisë’… Dhe citoi një varg të Ungjillit, që shpreh mënyrën se si duhet ta përballojmë pandeminë: ‘Mos ki frikë, vetëm beso’.
Kryepiskopi Anastas ka shprehur falënderime për të gjithë mjekët dhe infermierët dhe për njerëzit e shumtë, që edhe një herë tjetër e shfaqën dashurinë e tyre me lutje spontane e të zjarrta. Këto ditë kanë qenë të pareshtura interesimi, telefonatat, mesazhet dhe reagimet në media nga besimtarët orthodhoksë, që presin ta shohin Kryepiskopin sa më shpejt mes tyre. Vëmendje të madhe kanë treguar në këtë rast edhe mediat e ndryshme, disa prej të cilave kanë bërë një pasqyrim korrekt dhe të ngrohtë.”- thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.
Më tej, kisha ka publikuar edhe disa nga mesazhet dhe lutjet për Janullatosin të bëra nga udhëheqës fetarë e politikë, mes të cilëve edhe presidenti Ilir Meta, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe kreu i KMSH-së Bujar Spahiu.