Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se lejuan ndërtimin pa leje në 29 objekte në Lushnjë, Gjykata cakton masat për 4 punonjës dhe ish-punonjës të IMTV-së


Policia e Lushnjës ka ekzekutuar masat e sigurisë për katër punonjës dhe ish-punonjës të Inspektoratit Mbrojtjes së Territorit.

I.B., 62 vjeç, Xh. Z., 60 vjeç, K. S., 63 vjeç dhe Gj. M., 66 vjeç, të katërt banues në Lushnjë dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar ndërtimet pa leje të 29 objekteve në Bashkinë Lushnjë.

Si rezultat i një hetimi proaktiv, disamujor, të referuar nga Komisariati i Policisë Lushnjë, nën drejtimin e Prokurorisë së Lushnjës, u finalizua operacioni policor i koduar “Building”, në kuadër të të cilit u zbatua urdhri i prokurorit, për ekzekutimin e vendimit penal të datës 17.10.2022, të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, e cila ka caktuar masa sigurimi, për punonjës dhe ish-punonjës të IMTV-së së bashkisë Lushnjë, konkretisht për shtetasit:

-I. B., 62 vjeç, Xh. Z., 60 vjeç, K. S., 63 vjeç dhe Gj. M., 66 vjeç, të katërt banues në Lushnjë.

Gjykata ka caktuar ndaj këtyre shtetasve masat “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik“ dhe “Detyrimi për t’u paraqitur“, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Këta shtetas, gjatë viteve 2021 dhe 2022, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar ndërtimin pa lejet përkatëse, të 29 objekteve në territorin e bashkisë Lushnjë, kryesisht banesa dhe biznese, si dhe nuk kanë marrë masa për ndëshkimin administrativ të shtetasve që kanë ndërtuar pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.