Pak ditë më parë, ish-kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, njoftoi krijimin e një partie të re.
Ajo theksoi në një intervistë për mediat se nuk kishte ndërmend të bënte sehir siç nuk kishte qëndruar në vitin 1997.
Përtej zërave pro apo kundër vendimit të Topallit për t’iu bashkuar Partisë Lëvizja për Ndryshim, ish-deputetja e PD-së që prej vitit 1996 deri në vitin 2017 dhe ish-kryetare e Parlamentit e zv.kryetare e tij për 8 vite radhazi (2005-2013), ajo ka shpalosur në të shkuarën një qëndrim të sajin lidhur me ish-deputetët e PD-së që u larguan nga PD-ja e themeluan parti të reja.
Në një intervistë dhënë gazetarit Blendi Fevziu në ‘Opinion’ në vitin 2012, Topalli iu referua largimit të Gazmend Oketës nga PD-ja dhe themelimit prej tij të Frymës së Re Demokratike, parti të cilën e drejtoi për katër muaj para se t’ia dorëzonte Bamir Topit, që e drejton që prej vitit 2012.
Ajo e përshkruan Oketën me katër fjalë: “E sollëm, pa, mori, iku.”
Gjatë intervistës, ish-deputetja demokrate pohoi se nuk ishte e çuditur për largimin e tij, pasi këtë film e kishte parë edhe herë të tjera.
“Nuk kisha keqardhje për largimin e Oketës, as e çuditur. Në grupin parlamentar kolegët e mi thonë: E sollëm, pa, mori, iku. S’është hera e parë që e shoh këtë film, as te PD-ja as në politikën shqiptare. E kam parë edhe në kohë të tjera. Erdhi si djalë i ri, asokohe dukej yll në ngjitje. Pak muaj pasi e mori, PD-ja e bëri deputet, ministër Mbrojtjeje, zv.kryeministër.” – thotë Topalli gjatë intervistës.
Më tej Topalli thekson se Oketa kuptoi se nuk kishte demokraci në PD vetëm pasi humbi karrigen duke theksuar se PD-ja është një parti me një mision të caktuar, që thelbin e ka të vlera e misioni dhe jo te karrigia e pushtetit.
“Pasi humbi karrigen, kuptoi se s’kishte më demokraci në PD. Shumë kanë ik, kanë ardh, janë kthy. Është një parti e bazume në vlera. Thelbin e saj ka misionin, jo karrigen. Unë jam idealiste, kjo parti është e idealeve. Rrëzoi komunizmin dhe bazoi qëndrimin e saj, projektin e saj, misionin e saj, mbi liritë, ekonominë e tregut. Unë kam qenë dhe jam ëndërrimtare. Kam qenë dhe jam idealiste. Oketën e sollëm, pa, mori, iku. Kjo është devijanca e tyre që qenien e tyre në parti nuk e lidhin me misionin.” – shton Topalli gjatë intervistës.
Siç e thekson ish-kryetarja e parlamentit në intervistën e para tetë viteve, PD-ja është parti e misionit jo e karriges apo pushtetit.
Ajo e ‘sulmoi’ asokohe ish-kolegun e saj Oketa për largimin e themelimin e një partie të re pasi humbi karrigen, por a nuk po bën edhe vetë të njëjtën gjë?!