Vendosni fjalën kyçe....

Dita e 14 e grevës, 3 prej naftëtarëve përfundojnë në spital


Naftëtarët kanë hyrë sot në ditën e 14 të grevës së urisë dhe gjendja e tyre sa vjen e përkeqësohet. Tre prej tyre janë dërguar në spital, por pavarësisht se kanë dy javë në grevë zëri i tyre duket se ende nuk po dëgjohet.

Naftëtarët kanë mbyllur derën me çelës dhe nuk lejojnë askënd të futet brenda. Përmes një bisede telefonike me Report TV, kreu i sindikatës së naftëtarëve Sokol Dautaj, tha se disa prej grevistëve janë ndier “shumë keq”.

“Shëndeti ynë më keq nuk ka se ku të shkojë, e kemi thënë dhe stërthënë që nuk largohemi nga greva. Ndërsa shteti ka zgjidhur kërkesat e të burgosurve me ne nuk merren fare. Të na japin çdo lloj përgjigje edhe të na mbyllin uzinën, por nuk reagojnë”, tha Dautaj më tej.

Ndryshe nga herët e tjera, sot personeli shëndetësor i ambulancës është lejuar të futet brenda, që grevistët të marrin mjekimin e duhur.

Një prej minatorëve ka folur më pas para mediave përmes kangjellave, ku është shprehur se gjendja e tij shëndetësore, por edhe e grevistëve të tjerë paraqitet e rënduar.

“Gjendja shëndetësore e grevistëve paraqitet e rënduar. Para një ore kemi nisur në spital nja tre kolegët tanë që ishin rëndë. Vetë kam pasur dy ditë shqetësime, rrahje të zemrës të shpeshta. Më erdhi mjekimi nga familja. Shokët janë shumë rëndë, të dehidratuar, marrje mend, dhimbje koke. Do ta vazhdojmë deri në fund”, tha naftëtari, i cili u detyrua të largohej pasi nuk mund të qëndronte më në këmbë.

Naftëtarët e Ballshit kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës së rafinerisë.

Kujtojmë se ditën e djeshme, në mbështetje të grevistëve dolën të protestojnë dhe naftëtarë të tjerë që nuk janë në grevë dhe qytetarë të Ballshit.

Ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave duke nisur nga e hëna, ndërsa thonë se mund të bojkotojnë dhe mësimin në shkolla./ Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *