Vendosni fjalën kyçe....

Vetëvendosje: Deklarata e Trump-it s’vendos paqen po rehabiliton kriminelët e luftës në Kosovë


Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas një deklarate të bërë nga presidenti amerikan, Trump, gjatë takimit me mbështetësit e tij në Karolinën e Veriut.

Trump tha ndër të tjera se me marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës e Serbisë, ishte mundësuar parandalimi i vrasjeve masive.

“Po ndalojmë vrasjet masive mes Kosovës e Serbisë. Ata e kanë vrarë njëri-tjetrin për shumë kohë. Do ndalojnë së vrari. U thashë, ejani të bëhemi bashkë. Ata e kanë bërë këtë gjë prej 100 vitesh nën emra të ndryshëm.” – tha Trump.

Vetëvendosje thekson se lufta për çlirimin e Kosovës nuk e ka pasur themelin te urrejtjet e lashta etnike dhe qëndrimi i presidentit Trump anashkalon rolin e Sllobodan mMillosheviçit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës.

“Dje dëgjuam presidentin e ShBA-ve të flasë në një tubim elektoral për “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë”, që paskan bërë krime të tilla kundër njëra-tjetrës, “për shekuj me radhë”.

Besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës. Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese. Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova – Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë.” – shkruhet në reagimin e Vetëvendosjes në Facebook.

Më tej, lëvizja shton se lufta në Kosovë nuk ka qenë e karakterit etnik por krimet e gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës janë shkaktuar nga aparati shtetëror gjenocidal u Serbisë, ndërsa populli i Kosovës është vetëmbrojtur.

“Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.” – vijon deklarata e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, deklarata e presidentit amerikan vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe ka buxhetin më të madh ushtarak në Ballkanin Perëndimor duke u furnizuar me armë prej vendeve europiane por edhe prej Rusisë e Kinës.

Në fund të deklaratës thuhet se kjo është një qasje rehabilituese e kriminelëve të luftës dhe nuk vendos paqen mes kosovës e Serbisë por zgjat konfliktin e ngrirë.

“Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë? Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë, dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën.

Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë. Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid.” – mbyllet deklarata e Vetëvendosjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *