Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se vrau ish-kunatën në Tiranë, kapet në Lushnjë autori i dyshuar


Policia ka ndaluar Agron Tanushin, personin që akuzohet se vrau ish-nusen e vëllait ditën e djeshme e Bathore.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen ‘Apollonia’ ndërsa 31-vjeçari është ndaluar ditën e sotme në Lushnjë, ku ishte larguar që prej mbrëmjes së djeshme.

Dyshohet se vrasja e Jetmira Hasanit, ka ndodhur pas një konflikti për motive pronësie mbi banesën pas divorcit të vëllait të Agron Tanushit me viktimën para katër vitesh.

Si Tanushi ashtu edhe Hasani kanë pasur urdhër mbrojtjeje pas konflikteve mes tyre prej kohësh.

Njoftimi

Vihet në pranga autori i vrasjes me armë zjarri të 34-vjeçares në Kamzë, Tiranë. Sekuestrohet arma e zjarrit pushkë me të cilën autori kreu vrasjen. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, përdorjes së metodave speciale të hetimit dhe pamundësisë së fshehjes më gjatë autori i dyshuar i vrasjes ka rënë në prangat e shërbimeve të policisë së Lushnjës dhe të DVP Tiranë , pasi ishte i rrethuar pa asnjë mundësi largimi apo fshehjeje të mëtejshëme.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për një ngjarje të ndodhur për shkak të marrëdhënieve familjare në orët e mbrëmjes të ditës së djeshme në Bathore, Kamzë, ku mbeti e vrarë me armë zjarri shtetasja J. H, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.5, Kamëz kanë ushtruar kontrolle të pandërprera si dhe kanë përdorur metodat proaktive për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit.

Si rezultat i trysnisë së ushtruar nga ana e Policisë duke kryer kontrolle të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara, bashkëpunimit me familjarët, bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Lushnje dhe falë metodave proaktive mëngjezin e sotëm u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit , i cili fshihej në një lagje në Lushnje.

Pas disa orë kërkimesh, para pak minutash autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi A. T., 31 vjeç, u vu në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje dhe të DVP Tiranë që e kishin mbajtur të rrethuar zonën ku ishte lokalizuar vendndodhja e tij.

Ky shtetas si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri ish-kunatën e tij shtetasen J. H., 34 vjeçe.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *