Vendosni fjalën kyçe....

Humbësit dhe fituesit e marrëveshjes Kosovë-Serbi në Washington


Kosova dhe Serbia nënshkruan dje një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë me firmën edhe të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Dy palët ranë dakord në vija të trasha më shumë për pika në fushën e ekonomisë sesa në atë politike.

Por cilët ishin ata që dolën më të humbur apo më të fituar nga kjo marrëveshje?

Padyshim fituesi kryesor ishte Vuçiçi dhe Serbia. Në këtë marrëveshje Serbia futet edhe një herë në Kosovë për të përfituar nga resurset e saj, duke marrë të drejtën që të përdorë Liqenin e Ujmanit për të prodhuar energji elektrike.

Vetë Vuçiçi e konsideroi këtë një marrëveshje triumfale për Serbinë, e më pas u mburr për reagimin që kishte shkaktuar kjo në Kosovë: “Ishte e shkëlqyeshme për ne dhe shkaktoi trazira në Prishtinë”.

Arsyeja tjetër pse Serbia del triumfuese, është se i jepet akses ta përdorë Kosovën si platformë automobilistike dhe hekurudhore e më pas i sigurohet dhe një dalje në detin Adriatik përmes një porti të Shqipërisë.

Këtu Shqipëria as nuk pyetet nëse dëshiron apo i intereson asaj që t’i japë dalje në Mesdhe, Serbisë.
Marrëveshja i jep Serbisë edhe mbrojtje ekskluzive për kishat ortodokse në Kosovë. E një tjetër pikë, përfiton sepse Kosova pranon të ndalojë përpjekjet për njohjen e pavarësisë për një vit.

Një regres ky për Kosovën në arenën ndërkombëtare pasi njohjet dhe aderimi nëpër organizata janë të rëndësishme për të si shtet i ri. Serbia në anën tjetër sigurisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por thjesht do vendoset në një moratorium 1-vjeçar për të ndaluar fushatën e tërheqjes së njohjeve. Ka më për të shtuar?

Po, Izraeli del një tjetër shtet fitues, pasi merr dy ambasada në Jerusalem nga dy shtete që duan të hyjnë në Bashkimin Europian. Por që me këtë pikë dalin pikërisht kundër BE-së.

Por nëse Kosova këtu është futur kokë e këmbë, Serbia ka bërë një dredhi. Cila është kjo? Deri në vitin e ardhshëm do të ketë vetëm një zyrë ekonomike në Jerusalem, kështu nëse presidenti amerikan Donald Trump humbet zgjedhjet e ardhshme, Serbia ka mundësi ta lërë pas dore premtimin për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

Po Kosova çfarë përfiton? Do t’i bashkohet Mini-Shengenit që më parë e kishte refuzuar si dhe do marrë mbështetje financiare ashtu sikurse Serbia, për të mbështetur huatë që nevojiten për bizneset e mesme e të vogla. Izraeli e njeh si shtet të pavarur dhe Serbia për një vit nuk do bëjë fushatë për tërheqjet e njohjes së pavarësisë, siç u përmend më lart.

Humbësit totalë nga kjo marrëveshje, janë Hizbollahu dhe Huawei. SHBA-ja e përdor marrëveshjen për të goditur dy armiqtë e saj.

I pari sepse si Kosova dhe Serbia bien dakord, ta përcaktojnë si organizatë terroriste dhe angazhohen të ndalojnë operacionet e organizatës në territorin e tyre.

E dyta, sepse të dy palët do të ndalojnë përdorimin e rrjetit 5G nga shitës që nuk janë të besuar – Huawei./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *