Vendosni fjalën kyçe....

A po i falim det Greqisë? Pro-të dhe kundra-t e debatit


Deklarimi i kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis se Greqia do zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje nautike në Detin Jon ka shkaktuar debat të fortë në vendin tonë me palë që janë pozicionuar pro dhe kundra kësaj çështje.

Në qëndrimin zyrtar ditën e djeshme Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi për Zërin e Amerikës se “Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS”.

Ditën e djeshme ish-ministri i jashtëm në qeverinë e PD-së Tritan Shehu, shkruante se Rama nuk duhet të heshte lidhur me këtë vendim të qeverisë greke kur në vitin 2009 ai kontestoi marrëveshjen me Greqinë për ndarjen e detit.

Rama hesht tashti që Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në 12 milje në Detin Jon!

Që në fillim dua të theksoj se në parim është e drejta e Greqisë të bejë përpjekje të tilla.

Çështja qëndron te Rama, i cili dje anatemoi deri sa e rrezoi Marrëveshjen e vitit 2009, me e mira e mundshme e realizuar e me distance 6 milje, me tej pengoi dërgimin ne Hage ne mirëkuptim të të dy palëve të çështjes kur dhe Greqia në atë periudhe nuk e kundështonte, duke kaluar nga shkatërrimi aventuresk i marrëdhënieve strategjike më atë vend, në humbje të plotë dinjiteti me “kënge e valle”.

Ditën e sotme si Rama ashtu edhe Cakaj mbajtën një qëndrim neutral duke mos e kontestuar vendimin e palës greke.

Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujrat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982. Sa për dijeni të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, çka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë. Kjo e drejtë e jona, nuk është çështje negociate dhe negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cënojnë dot assesi të drejtën në fjalë. As për Shqipërinë, as për Greqinë”-shkruante Rama në një postim në rrjetet sociale enkas për këtë gjë.

Ndërsa një reagim dukshëm kundër zgjerimit detar me 12 milje të Greqisë ka bërë përfaqësuesi i Vetëvendosjes Arbër Zaimi i cili shkruan se “kryeministri Rama duhet të shpjegojë si reflektohet zgjerimi i Greqisë nga 6 në 12 milje në veri të Korfuzit dhe në isujt jonian të Greqisë përballë Himarës.

“Nuk kishim nevojë për ministrin e Jashtëm Rama që të na tregojë se Greqia ushtron të drejtat e saj. Kemi nevojë për shtet që kujdeset për të drejtat e Shqipërisë. Kur Greqia proklamon se po rritet nga 6 në 12 milje në detin Jon, le të na thotë Rama si reflektohet kjo në veri të Korfuzit?

Si reflektohet te ishujt jonianë të Greqisë përballë bregut të Himarës? Greqia i konsideron ujërat ishullore të barabarta me ujërat kontinentale, a pajtohet me këtë parim Rama kur thotë se “Greqia ushtron të drejtat e saj?”

Kurse nga Vlora Presidenti Ilir Meta është shprehur se shteti shqiptar duhet të respektojë Gjykatën Kushtetuese.

Shqiptarët duhet të jenë të sigurtë që Presidenti gjithmonë do të mbrojë Kushtetutën. Për çështjen në fjalë do të respektojë vendimin e Gjykatën Kushtetuese dhe Këtë duhet të bëjnë të gjithë institucionet tona”, tha Meta nga Vlora.

Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 e shfuqizoi marrëveshjen detare me Greqinë, ndërsa negociatat mes Athinës dhe qeverisë së majtë në Tiranë ende nuk janë finalizuar pavarësisht se prej disa vitesh janë organizuar disa takime me zyrtarëve./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *