Vendosni fjalën kyçe....

Boçi: Ministria e Arsimit me pushime nuk ka nxjerrë akoma udhëzimin për fillimin e vitit shkollor


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka shigjetuar Ministrinë e Arsimit lidhur me mosangazhimin për fillimin e vitit të ri shkollor në kushtet të reja me pandeminë.

Sipas Boçit, nga ministria nuk ka akoma asnjë urdhër për përgatitjen e shkollave për nisjen e vitit shkollor.

Boçi akuzon më tej se ministria ka dështuar me mësimin online dhe nuk ka rikuperuar asgjë në formimin e brezave,

Postimi i plotë:

Ndërsa e gjithë Evropa është e angazhuar dhe e qartë për të ulur nxënësit në bankat e shkollave dhe arsimin e shpall prioritet numër një, Qeveria e Ministria jonë e Arsimit janë arratisur në pushime të gjata.
Udhëzimi për fillimin e vitit shkollor duhet të kishte dalë, ndërsa përgatitja e shkollave duhet të kishte nisur.
Problemet e akumuluara janë me qindra, por Ministria sillet sikur çdo gjë shkon vaj.
Dështimi i mësimit online duhet rikuperuar me shpejtësi, për të mos krijuar gropa në formimin e brezave, por askush nuk vepron.
Shkollat nga ana fizike në një pjesë të madhe janë të degraduara dhe jashtë standarteve evropiane për shkollat e shëndetshme.
Nuk ofrojnë asnjë garanci higjeno-sanitare dhe realizim të protokolleve shëndetësore.
Investimet për mjete mësimore, apo rikonstruksione janë zero.
Ministrja përpëlitet në deklarata për tre skenarë, sikur do bëjë filmin e rradhës.
Ndërkohë duhet të kishte të ngritur grupin e punës me specialistë të pedagogjisë e didaktikës, të IT e ekpertë të shëndetësisë, për të hartuar strategji konkrete e efikase si zgjidhje reale.
Përkundër kësaj ministria parashtron dilema e s’di akoma kë “skenar” të zgjedhë.
E gjitha si në historinë e gomarit, të cilit i vendosën përpara tagji dhe jonxhë e i kërkuan të zgjedhë vetëm njërën si ushqim.
Duke mos ditur kë të zgjedhë, midis shumë dilemave (dy, ministria ka tre) i ngrati, ngordhi nga uria.
Mos o Zot të na i ndodhë ndonjë gjë ministrisë!!!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *