Vendosni fjalën kyçe....

Peter Beyer: Akuzat e Speciales nuk i ulin meritat e UÇK-së


Raportuesi për Kosovën në Bundestagun gjerman dhe në Këshillin e Europës, Peter Beyer, ka reaguar lidhur me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Në një prononcim për DW, Beyer tha se akuzat ndaj krerëve të UÇK-së janë një hap pozitiv drejt pajtimit.

Sipas tij, Prokuroria Speciale nuk akuzon UÇK-në në tërësi, por disa individë të saj dhe i bën thirrje Kosovës të mbështesë Gjykatën Speciale në Hagë. 

“Të gjithë duhet ta shohin qartë se nuk është UÇK-ja që është në bankën e të akuzuarve këtu, por individë që ishin në pozicione drejtuese në UÇK në atë kohë. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme.

Ky zhvillim aktual duhet të shihet si një shenjë pozitive nga populli i Kosovës, pasi tregon se vendi është ne rrugën e shtetit kushtetues funksionues. Pajtimi është një element shumë i rëndësishëm në trajtimin e së kaluarës. Ai mund të funksionojë vetëm nëse identifikohen krimet e luftës – pavarësisht se kush i ka kryer – dhe ndiqen ose dënohen në përputhje me të drejtën. Gjykata Speciale dhe Prokurorët e saj luajnë këtu një rol vendimtar dhe duhet të mbështeten fuqimisht nga të gjitha forcat shoqërore dhe politike në Kosovë dhe partnerët evropianë.“- tha Beyer.

Deputeti gjerman u bëri thirrje organeve ligjvënëse në Kosovë që të mos e tërheqin bazën ligjore të Gjykatës Speciale.

“Nuk mund të përjashtohet mundësia që në Parlamentin e Republikës së Kosovës do të bëhen përpjekje për tërheqjen e bazës ligjore për Gjykatën Speciale. Përpjekjet e tilla duhet të kundërshtohen me gjithë qartësi në qasje. E njëjta vlen edhe për heqjen dorë nga imuniteti i Parlamentit. Çdo gjë më pak do të ishte fundi i besueshmërisë së elitave politike kosovare në rrugën drejt Europës. Qytetarët e Kosovës nuk e kanë merituar këtë. E vërteta dhe vërtetësia është ajo që kanë pritur për një kohë të gjatë njerëzit në Kosovë.”– është shprehur Beyer.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *