Vendosni fjalën kyçe....

Si u zbulua afera shqiptare 60 mln USD në Zimbabve


Ministri i Shëndetësisë në Zimbabve është arrestuar për korrupsion, për shkak të tenderit prej 60 milionë dollarësh për blerjen e materialeve anti-Covid me një kompani që ka ortak biznesmenin shqiptar, Ilir Dedja.

Obadiah Mojo u arrestua nga antikorrupsioni, pasi një investigim i gazetës ZimLive zbuloi se si kompania qeveritare ‘NatPharm’ kishte kontraktuar kompani private që nuk ishin në regjistrin e prokurimeve për të blerë miliona dollarë ilaçe gjatë emergjencës së Covid-19.

Një nga kompanitë që kishte marrë tenderin është ‘Drax International’, e krijuar vetëm 2 javë para se të lidhte kontratën, me ortak shqiptarin Ilir Dedja, që sipas mediave të Zimbabves, është shpallur në kërkim.

Dy javë pas themelimit ajo u pagua 2 milionë dollarë në një llogari bankare në Hungari, çka tërhoqi edhe vëmendjen e Interpolit. Pagesa ishte pjesë e 60 milionë dollarëve që ishin firmosur me këtë kompani, që kishte fituar tenderin pa garë.

Kjo pagesë iu referua Interpolit nga Hungaria, i cili nisi menjëherë hetimet. Në këtë moment rezulton se Ilir Dedja hapi një kompani në Dubai dhe çoi në Zimbave një faturë të re prej 1 milionë dollar për t’u paguar.

Drax International, shkruan ZimLive, është e lidhur me kriminel të njohur atje, Delish Nguwaya, një ortak i një prej djemve binjakë të presidentit të Zimbabves, Emerson Mnangagua, Collins-in dhe shumë i afërt me bashkëshorten e presidentit.

Ai ishte i pari që u arrestua në aferën e quajtur “Covid-gate”.

Mediat në Zimbabve shkruajnë se teksa ai është në pritje të akuzave, autoritetet po bashkëpunojnë me partnerët e huaj për të nxjerrë një urdhër-arresti ndërkombëtar për Ilir Dedjan, i cili rezulton se ka nënshtetësi italiane.

Dyshohet se Dedja ndodhet në Itali ose në Shqipëri, por ai ende nuk ka reaguar për këtë çështje.

I vetmi që ka reaguar është Mërtiri, pasi emri i tij u përmend si person i përfshirë në këtë aferë, për shkak të një fotoje ku ai gjendet me presidentin e Zimbabves dhe ish–deputetin e Partisë Demokratike, Gert Bogdani.

Mërtiri, që rezulton ortak në një tjetër biznes me Ilir Dedjan tha se ai nuk kishte lidhje me aferën.

Ndërsa ish-deputeti Bogdani, i pyetur nga Tv Klan tha se nuk e njihte Ilir Dedjen. I pyetur në lidhje me fotografinë ku ai shfaqet me presidentin e Zimbabves dhe biznesmenin Mirel Mërtiri, nuk pranoi të bënte asnjë koment.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Tv Klan


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *