Vendosni fjalën kyçe....

Një transgjinore zgjidhet për herë të parë si kryetare Komune në Francë


 Një grua transgjinore në Francë ka fituar zgjedhjet lokale në komunën e vet, duke u bërë kryetarja e parë transgjinore.

Siç shkruan BBC, Këshilli në Tilloy-lez-Marchinnes në verilindje të Francës zgjodhi Marie Cau-n për kryetare të re të Komunës.

Gruaja 55-vjeçare gjatë fushatës kishte premtuar qëndrueshmëri ekologjike dhe rindërtim të ekonomisë lokale. Gjatë një interviste për AFP-në, ajo tha se nuk është aktiviste dhe se dëshiron të përqendrohet në politikat komunale.

“Njerëzit nuk më kanë zgjedhur pse jam apo nuk jam transgjinore, ata e kanë zgjedhur një program. Kjo është interesante: kur gjërat bëhen normale, ju nuk veçoheni”, tha ajo.

Ministrja e Barazisë Gjinore në Francë, Marlène Schiappa shprehu mbështetjen e saj për kryetaren e re të dielën.

Banorët e komunës Tilloy-lez-Marchiennes që ndodhet në kufirin belg, me rreth 600 banorë, votuan në zgjedhjet lokale në muajin mars.

Ata i zgjodhën të gjithë këshilltarët komunalë nga partia “Të Vendosim Së Bashku”, ku bënte pjesë edhe Cau. Këshilltarët më pas votuan pothuajse në mënyrë unanime për ta zgjedhur atë kryetaren e re.