Vendosni fjalën kyçe....

Trefishohen vdekjet nga infarkti në Itali, mjekët japin alarmin: Shtretërit e pacientëve po i zënë të prekurit nga Covid-19


Këto kohë pandemie, viktimat nuk kanë lidhje vetëm më Covid-19. Në Itali që prej ardhjes së koronavirusit të ri është trefishuar numri i personave që kanë humbur jetën nga infarkti i zemrës.

Kjo rritje tejet e madhe e numrit të viktimave ka të bëjë në shumicën e rasteve me mungesën e trajtimit apo mjekimit të vonuar, shkruan La Repubblica në një shkrim të ditës së djeshme.

Alarmi është ngritur nga Shoqëria Italiane e Kardiologjisë (SIC) e bazohet në numrat e mbledhur gjatë një studimi mbarëkombëtar i kryer në 54 spitale mes 12 dhe 19 marsit, periudhë gjatë së cilës Italia ishte goditur më së shumti nga numri i të prekurve me Covid-19 e shtrimi i tyre në spital.

Studimi arriti në përfundimin se gjatë periudhës Covid është regjistruar një numër trefish më i lartë i vdekjeve nga infarkti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, duke shkuar nga 4.1% në 13.7%.

Studimi vëren se shumica e viktimave nuk u mjekuan fare ose u mjekuan shumë vonë. Mosha mesatare e viktimave është 65 vjeç, thuhet gjithashtu në studim.

“Nëse kjo tendencë vijon atëherë do kemi më shumë viktima nga zemra sesa nga Covid-19.” – ka thënë presidenti i Shoqatës Italiane të Kardiologjisë, Ciro Indolfi.

“Organizimi i spitalave ka qenë terësisht në funksion të të prekurve nga Covid-19 dhe shumë reparte kardiologjie kanë shërbyer si vend trajtimi për ta duke lënë jashtë vëmendje pacientë me sëmundje zemre.” – shtoi ai.