Vendosni fjalën kyçe....

Pse degjeneroi Partia Demokratike nga “Rama ik” në “Mira ik”?


Duhet pranuar që në fillim pa asnjë hezitim: pagesa e dy gazetarëve nga UKT-ja është e papranueshme edhe sikur të jetë e ligjshme. Pagesa të tilla duhen ndërprerë të gjitha dhe nuk duhet të lejohen të ndodhin më, jo vetëm sepse janë keqpërdorim i parasë publike, por edhe sepse thyejnë një parim themelor: pavarësinë e medias nga pushteti.

Por me zbulimin e pagesave të Mira Kazhanit dhe Bieta Sulos u zbulua një skandal edhe më i rëndë edhe më shqetësues, edhe më i rrezikshëm për interesin publik.

Për të kuptuar këtë duhet ritheksuar një fakt që dihet në të gjitha qarqet mediatike dhe politike të Tiranës.

Sulmi mediatik për punësimin e dy gazetareve në UKT është orkestruar dhe zbatuar nga Partia Demokratike, duke përdorur çdo strukturë të saj, të brendshme dhe të jashtme.

Ajo që është edhe më e rëndë është dyshimi se i gjithë ky sulm ka pasur si qëllim shantazhin ndaj drejtorit të tanishëm të UKT-së, ose largimin e tij për një pazar të prishur.

Historia ka ndodhur pak a shumë kështu:

Informacioni për punësimin në UKT, është siguruar nga drejtuesja e strukturës parapartiake të Lulzim Bashës, bashkëshorti i të cilës është punësuar nga Erion Veliaj, si kontabilist për UKT-në. Ky infomacion i është kaluar një personazhi të spikatur të memeve online, i cili duket se paguhet sipas shërbimit nga e njëjta strukturë. Ai u përdor për të bërë i pari publik faktin, në mënyrë që të fshehë gjurmët e strukturës parapartiake të Bashës. Drejtueset e kësaj strukture u siguruan që ky informacion të bëhej viral përmes 2 mënyrave: duke u publikuar në portale dhe në rrjete sociale përmes memeve.

Me urdhër të Lulzim Bashës këto meme u shpërndanë në mënyrë të ethshme duke përdorur si strukturën parapartiake, ashtu edhe atë partiake.

Mund të duket e pabesueshme por ish-deputetë, ish-ministra, ish-drejtues të lartë të shtetit, si dhe pretendentë për deputetë, për ministra dhe për drejtuesit e shtetit u kthyen në vegla banale për një fushatë të turpshme denigrimi personal.

Pas çdo postimi të memeve, pas çdo artikulli për ngjarjen, një ushtri komentuesish anonimë, përmes profileve fallco, sulmonte me fjalët më të ndyra dhe sharjet më të rënda.

Kjo fushatë u zhvillua me një intensitet të jashtëzakonshëm për katër ditë rresht. Ajo pati kthesa të papritura, kur drejtues të strukturës që projektuan dhe zbatuan fushatën u bënë vetë viktima të kritikave apo sulmeve me të njëjtat akuza, duke sjellë një situatë banale që gërreu akoma më shumë besimin publik tek politika dhe media.

Tani që vala e parë duket sikur kaloi, duket absurde çfarë ndodhi: një parti e tërë politike u përfshi apo u përdor në një fushatë skandaloze denigrimi dhe përçmimi personal.

Për më tepër kjo parti u ekzpozua vetë përballë pikëpyetjeve serioze, të cilave duhet t’u japë përgjigje për të zhdukur çdo dyshim se Partia Demokratike nuk është bërë peng i interesave të pista private.

Hashtag dëshiron të pyesë publikisht Kryetarin e PD-së:

  1. Si mundet që një parti politike, që synon të marrë pushtetin të përfundojë në instrument në duart e personave të njohur për vënie gjobash, shantazhesh dhe makinacionesh përmes profileve fallco dhe sulmeve anonime në media, për përfitime financiare?
  2. Me çfarë paguhen konsulentët dhe e gjithë struktura gjigande, e cila kushton dhjetëra-mijëra euro në muaj, mesa duket, të gjitha të padeklaruara, të gjitha në të zezë?
  3. Si mund të përdoret struktura politike e Partisë për të përhapur meme mediokre dhe banale për të sulmuar 2 gazetare, qoftë edhe gazetare të lidhura me pushtetin, sikurse ka edhe vetë PD-ja?
  4. Si mundet PD-ja që ka braktisur çdo luftë politike, çdo kauzë publike të mobilizohet në një mënyrë të jashtëzakonshme për të shpartalluar Mira Kazhanin, si shkaktaren kryesore të krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes së vendit?
  5. Mbi të gjitha, anëtarët e ndershëm të Partisë Demokratike duhet t’i përgjigjen pyetjes: çfarë ndodhi me partinë e tyre, që degjeneroi nga “Rama ik” në “Mira ik”?/Hashtag.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *