Vendosni fjalën kyçe....

Grupimi Rinor Universitar Demokrat kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në universitet për në nëntor


Grupimi Rinor Universitar Demokrat ka reaguar në lidhje me çështjen e zgjedhjeve për strukturat drejtuese në Universitetin e Tiranës duke dënuar vendimin për zhvillimin e mundshëm në 12 qershor.

Ata akuzojnë se qeveria kërkon të kapë strukturat e universiteteve duke shfrytëzuar situatën epidemiologjike

Grupimi Rinor Universitar Demokrat po ndjek me vëmendje të madhe dhe shqetësim situatën e krijuar në lidhje me zgjedhjet për drejtuesit e institucioneve të arsimit të larte (IAL) dhe senatin akademik në Republikën e Shqipërisë. GRUD, si një organizëm që përfaqëson interesat e drejtpërdrejta të studentëve, dënon me ashpërsinë më të madhe farsën zgjedhore që kërkohet të vihet në jetë më 12 Qershor. Në kushtet e një situate epidemiologjike të paqartë, mungesës totale të transparencës dhe konfuzionit për të dalë nga kjo situatë, tentakulat e qeverisë po shtrihen drejt universiteteve për të emëruar sejmenët e tyre në krye të institucioneve”-thuhen në deklaratë.

Grupimi konsideron si shkelje të ligjit për Arsimin e Lartë zhvillimin e këtyre zgjedhjeve të cilat do privojnë votën e studentëve duke kërkuar shtyrjen e tyre për në muajin nëntor.

Ne jemi të bindur që këto zgjedhje janë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe rregulloren. Më konkretisht, sipas ligjit nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor,” dekanët dhe rektorët zgjidhen nga pedagogët dhe studentët, ndërkohë, në nenin 38 të rregullores, “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese në senatin akademik,” pika b, i shpall zgjedhjet të pavlefshme në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme ku kanë munguar zgjedhësit. Këto zgjedhje në kundërshtim me ligjin privojnë nga e drejta themelore e votës shumicën e cilësuar të studentëve: 3/5 e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit në senatin akademik për 4 vitet e ardhshëm.

Në këtë frymë, ne gjykojmë se është e domosdoshme shtyrja e menjëherëshme e datës së zgjedhjeve për në Nëntor, që përkon me fillimin e vitit të ri akademik, duke iu ofruar të gjithë studentëve të drejtën e votës, ndërsa kandidatëve mundësinë për të shpalosur platformat e tyre përpara zgjedhësve”.

Gjithashtu ata venë në dukje se nëse zhvillohen zgjedhjet në këtë moment studentët vihen para dilemës për të zgjedhur mbrojtjen e shëndetit dhe votimeve për strukturat drejtuese dhe akademike.

Në asnjë rrethanë, studentët nuk duhet të detyrohen të zgjedhin mes zgjedhjeve në universitet dhe shëndetit të tyre. Sot është akoma e paqartë se si do të bëhet i mundur transporti i studentëve nga rrethet, kush do ta mbulojë këtë shërbim dhe çfarë masash janë marrë konkretisht për zhvillimin e një ore leksioni normale duke marrë parasysh distancimin social. Çfarë protokolli dhe modaliteti do të ndiqet për sezonin e provimeve dhe atë të riprovimeve? Këto dhe shumë pyetje të tjera janë pa pergjigje nga ana e qeverisë dhe ministres së arsimit.

Andaj, para se ministria e arsimit të fillojë të ndërtojë skenare zgjedhjesh farsë për të uzurpuar tempujt e dijes, do të ishte më e udhës të siguronte priorietin kryesor: t’i jepet përparësi absolute përfundimit të vitit aktual akademik duke u kujdesur fillimisht për shëndetin e studentëve dhe trupës pedagogjike”.

Ky grupim në përfundim të deklaratës ka risjellë në vëmendje edhe njëherë shqetësimet që propozojnë studentët për rritje të përfaqësimit të tyre dhe subvencion tarifash të shkollës apo strehimit.

Koha në dispozicion të shërbejë si një reflektim nga ana e ministrisë dhe të përdoret në të mirë të përmirësimit të jetës universitare dhe arsimit në tërësi. Prandaj duam t’ju përcjellim shqetësimet e mijëra studentëve që propozojnë:

1- rritjen e përqindjes së votës së studentëve minimalisht 25%, si një kërkesë e drejtë e protestave të Dhjetorit 2018 dhe një premtim i pambajtur i kryeministrit Rama;

2- subvencionim i menjëhershëm i tarifës së konvikteve, paketave të internetit dhe përgjysmim i tarifave shkollore, për nivelin Bachelor dhe Master.

Ju bëjmë thirrje të gjithë studentëve, pavarësisht diferencave tona, të qëndrojnë të unifikuar kundër këtij vendimi arbitrar dhe aspak demokratik. Në universitet qëndron e ardhmja”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *