Vendosni fjalën kyçe....

Interpol Tirana pas arrestimit të Genc Tafilit në Gjermani: Pritet ekstradimi drejt Shqipërisë


Pas arrestimit të Genc Tafilit, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari, ka reaguar Interpol Tirana.

Në njoftimin për media nga Interpol Tirana thuhet se 43-vjeçari është arrestuar në Gjermani dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin.

Kujtojmë se Genc Tafili dhe i vëllai, Admiri, akuzohen për vrasjen e ish-kryepolicit të Shkodrës Arben Zylyftari në vitin 2000 gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim.

Ai u dënua me 25 vite burg por u lirua pas 17 vitesh dënim në vitin 2017. Ai u lirua nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha e cila është arrestuar dhe po gjykohet për korrupsion e shpërdorim detyre. Por në maj, Gjykata e Apelit në Tiranë e rrëzoi vendimin e lirimit të tij dhe kërkoi rikthimin në burg.

 “Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, kapet një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar për vrasje.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Ëiesbaden, Gjermani, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në Gjermani, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Genc Tafilaj, 43 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin në burg të këtij shtetasi, për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh, për vrasje.

Shtetasi Genc Tafilaj është dënuar nga Gjykata e Lartë, në vitin 2002, me 25 vjet burgim dhe pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit, Gjykata e Rrethit Krujë, në vitin 2017, ka vendosur ta lirojë me kusht.

Më datë 02.08.2000, në Shkodër, shtetasi Genc Tafilaj, në bashkëpunim me babain e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri, për të kryer pjesën e mbetur të dënimit.”- thuhet në njoftim.