Vendosni fjalën kyçe....

Gjermanët i kthehen jetës normale më 4 maj


Nga Dusseldorfi Danjela Bonollari

3 maji është dita kur shteti gjerman pritet t’u japë fund masave drastike në vend.

Pas pak më shumë se 40 ditësh pritet që dhe Gjermania të urdhërojë rinisjen e jetës normale. Prej 18 marsit populli është vetëizoluar, vetëkarantinuar pasi këtë e kërkoi plot mirësjellje kancelarja Angela Merkel.

Gjoba do të vendoseshin nëse një grup njerëzish nuk vërtetonin nëse ishin të së njëjtës familje, nëse kafeneja, një restorant apo një butik qëndronin hapur duke thyer rregullin e shtetit.

Fillimisht masat drastike si mbyllja e kopshteve apo shkollave u njoftuan përmes medias. Më pas Çdo institucion në faqen e tij të internetit vendosi njoftimin sipas urdhrit të qeverisë.

Supermarketet qëndruan të hapura pa kufizime në asnjë orë të ditës, ashtu si furrat e bukës, mjeku i familjes, dentisti, farmaciëe. Administratorët e pallateve apo të banesave mbyllën këndet e lojrave. Hapur mbetën parqet për shëtitje e sporte në natyrë. Kuptohet të gjithë e respektojnë distancën, e cila është 1.5 metër dhe e afishur në cdo supermarket.

Kopshtet qëndruan hapur bashkë me shkollat vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve janë në krye të detyrës, si infermierë, mjekë, policë, zjarrfikës etj.

Duket sikur populli gjerman sensibilizimin për marrje masash e ka në gjak. Njohin hierarkinë në kuptimin e plotë të fjalës. Nëse ekspertët flasin, zbatimi nis direkt në terren. Nëse media informon, asgjë nuk shkon në vesh të shurdhër.

Nuk ka nevojë që shteti të shkojë derë më derë, të ndajë postera apo të nxjerrë ushtrinë.

Fakti që virusi është i rrezikshëm ka bindur tashmë të madh e të vogël. Fëmijët përshëndeten në distancë teksa dalin shëtitje në qytet. Askush nuk e shkeli shiritin e kuq te vendosur tek këndet e lojrave. Nëse do ndodhte gjoba do ishte e majme, 250 euro për person. Të vjen me postë e të kërkohet ta paguash përmes bankës në llogarinë përkatëse.

Mosha e tretë lëviz më pak dhe me maskë. Shoqatat humanitare dhe bashkia janë hedhur në sulm të ndihmës ndaj të moshuarve të vetmuar. Vullnetarë janë ofruar për ndihmë të personave me aftësi ndryshe, të të sëmurëve kronikë në blerje ushqimesh apo sende te nevojshme.

Respektimi i distancës ka qenë i suksesshëm në ngadalësimin e përhapjes së virusit Covid19, u shpreh më shumë se një herë Merkeli duke kërkuar ende durim.

Por pas 1 muaj karantine asgjë nuk është aq e lehtë. Tashmë po punohet që shkallë-shkallë të hapen shkollat për fëmijët më të rritur, që të rihapen bizneset e vogla sepse rrezikojnë falimentimin.

Kjo pritet të ndodhë pas 3 majit, muaj në të cilin shpresohet që Gjermania të marrë sërish frymë lirisht.

Megjithatë gjermanët do të heqin dorë nga luksi për këte vit. Deri në shtator duhet të mos rezervojnë udhëtime turistike jashtë shtetit dhe duhet të mbeten të kënaqur vetëm duke parë ndeshjet e futbollit të luajtura sezonin e kaluar pasi tubimet si koncerte e çdo lloj aktiviteti tjetër sportiv e kulturor do të jenë të pezulluar deri në vjeshtë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *