Vendosni fjalën kyçe....

Festivali i Kanës nuk zhvillohet dot “në formën e tij origjinale”, çfarë thonë organizatorët


Festivali i Filmit në Kanë nuk do të zhvillohet në formën e tij origjinale këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Muajin e kaluar organizatorët e shtynë, duke thënë se synojnë ta organizojnë atë në qershor ose korrik të këtij viti.

Por BBC shkruan se tani, në një deklarate të përditësuar, organizatorët thonë se ky plan “nuk është më një opsion”, pasi Franca i ka zgjatur këtë javë masat e izolimit deri më 11 maj.

Organizatorët nuk sqaruan se cilat mund të jenë alternativat, por thanë se shpresojnë t’i bëjnë publike shpejt.

Festivali prestigjoz fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në jug të Francës në datat 12 deri në 23 maj. Kur festivali u shty për herë të parë, presidenti Pierre Lescure, tha se ai ishte optimist se festivali o zhvillohej këtë vit. Lescure i tha gazetës “Le Figaro” në atë kohë që ai besonte se kulmi i epidemisë do të arrihej në fund të marsit dhe se situata do të qetësohej në prill.

Por të hënën, presidenti Francez Emmanuel Macron tha se bllokimi i vendit do të zgjatej deri më 11 maj, dhe se eventet publike nuk mund të mbaheshin deri në mes të korrikut.

Në deklaratën e fundit, organizatorët e festivalit thanë: “Pas deklaratës së presidentit francez … ne pranojmë që shtyrja e Festivalit të Filmit të Kanës, e konsideruar fillimisht për në fund të qershorit deri në fillim të korrikut, nuk është më një mundësi. Është vështirë të supozohet se Festivali i Kanës mund të mbahet këtë vit në formën e tij origjinale”.

Organizatorët shtuan se ata kishin filluar diskutimet me profesionistë të industrisë së filmit për ta zhvilluar gjithsesi festivalin në një mënyrë apo në një tjetër, por ende nuk ka detaje për këtë.