Vendosni fjalën kyçe....

Urimi i Begajt: Të shohim bashkërisht të ardhmen me besim te vetja e vendi


Presidenti Begaj ka bërë urimin tradicional për shqiptarët këtë fundvit.

Ai tha se viti 2023 pati zhvillime pozitive për vendin ku thekson orcimin e pozitës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si dhe rritjen e reputacionit të vendit e të shqiptarëve në botë.

“Afrimi i vitit të ri përbën një moment të veçantë për të gjithë ne. Është festë e shprehjes së ngrohtësisë familjare e shoqërore rreth tavolinave të mbushura me dashuri. Është festë e mirëseardhjes dhe e shpresës për të ardhmen, festë  që nuk na ndan, por na afron më pranë njëri -tjetrit. Kjo është festa e të gjithëve.  Dëshiroj të ndaj me ju disa reflektime mbi rrugëtimin tonë të përbashkët dhe aspiratat për ardhmen. Viti që lëmë pas pati zhvillime pozitive. Këtu  veçoj forcimin e pozitës tonë ndërkombëtare dhe rritjen e reputacionit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Treguam se ndonëse vend i vogël, i kemi të gjitha mundësitë të jemi faktor në rajon dhe kontribues për paqen në botë.  Megjithatë, rritja e rolit tonë në arenën ndërkombëtare dhe përmirësimi i imazhit të Shqipërisë, nuk mund të kuptohen pa politika të mira brenda vendit. Këtë vit, miliona turistë vizituan vendin tonë. Në Shqipëri ata gjetën jo vetëm bukuritë e natyrës, por edhe mikpritjen tradicionale të shqiptarëve.” – tha Begaj.

Kreu i shtetit shton më tej angazhimet e vendit në BE duke theksuar se sistemi i drejtësisë i ka mundësitë të jetë mishërues i shndërrimit dhe se beteja për shtetin e së drejtës nuk është e përfunduar a fituar.

“Gjithashtu, vijuam angazhimin tonë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Jemi të vetëdijshëm se procesi nuk është vetëm një ushtrim i thjeshtë administrativ, por transformim i thellë institucional dhe shoqëror.  Sistemi i drejtësisë, i ka të gjitha mundësitë të jetë mishërues i këtij transformimi. Beteja për shtetin e së drejtës nuk është as e përfunduar as e fituar. Ne kemi ende shumë rrugë për të bërë që shteti ynë të jetë i drejtë dhe transparent. Ndërsa një rrugë më e gjatë është ajo drejt drejtësisë sociale. Për këto dy aspekte themelore të drejtësisë, asaj  juridike dhe sociale, i bëj thirrje të gjitha forcave politike, që pavarësisht dallimeve, t’i japin përparësi interesave të qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe aspirata kryesore për vitin në vijim mbetet shteti i konsoliduar i së drejtës, drejtësi e gjithëpranishme sociale dhe reduktim i polarizimit në shoqëri, politikë dhe ekonomi.” – shton Begaj.

Në fund ai shkruan se me politika të drejta e stimuluese publike e duke administruar si duhet burimet njerëzore vendi do ketë mundësi më të mira e të ardhme më të sigurt.

“Shpreh bindjen se me politika të drejta dhe stimuluese ekonomike, me investime publike të mençura, me koordinim ndërsektorial dhe duke administruar me eficiencë burimet njerëzore, e ardhmja do të jetë më e sigurt dhe begatë. Të gjithë së bashku duhet të punojmë për të krijuar mundësi të reja, tërheqëse, që të rinjtë të duan ta ndërtojnë jetën  e tyre këtu, në atdhe. Të dashur bashkëatdhetarë, Dua tu uroj të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, vëllezërve dhe motrave në Kosovë e në rajon një vit të ri të mbarë, të paqtë dhe të begatë. Më lejoni që në mbyllje të këtij mesazhi të ndalem, te njerëzit e thjeshtë, te punëtorët dhe profesionistët e angazhuar për të mirën personale dhe për të mirën e vendit. Dua t’ju them se secili prej jush e të gjithë ne bashkë, jemi Shqipëria. Të gjithë bashkë japim kontributin në ndërtimin e një të ardhme më të mire e më të qëndrueshme. Këtë prag viti të ri, le ta shohim bashkërisht të ardhmen me besim te vetja dhe te vendi. Vetëm kështu do të dimë të hapim horizonte shprese.” – mbyll urimin presidenti Begaj.