Vendosni fjalën kyçe....

19 ligjvënës të BE-së letër Ursula von der Leyen: Rusia po keqpërdor pandeminë për përfitime politike


Që kur nisi të përhapej pandemia e koronavirusit, Rusia ka ndihmuar një sërë shtetesh me mjekë e pajisje mjekësore, duke nisur me Kinën, Italinë, Spanjën e madje edhe SHBA-në.

Mirëpo disa eurodeputetë e shohin këtë si një përpjekje nga Moska për të shfrytëzuar pandeminë për të detyruar shtetet të heqin sanksionet ndaj saj.

Siç shkruan REL, një grup ligjvënësish të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një letër më 3 prill në adresë të presidentes se KE-së, Ursula Von Der Leyen.

Në letër thuhet se ndihma ruse ndaj vendeve evropiane për të luftuar krizën shëndetësore është pjesë e “një fushate” për të shtyrë BE-në të tërheqë sanksionet ndaj Rusisë.

Ligjvënësit thonë se janë duke shqyrtuar çdo mundësi për të mos lejuar tërheqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Autoritetet ruse me anë të një fushate duke dërguar ndihma humanitare në Itali si dhe duke keqinterpretuar deklaratat e zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, janë duke tentuar të ndryshojnë qëndrimin e BE-së dhe vendeve anëtare lidhur me sanksionet”, thuhet në letër.

Letra u nënshkrua nga 19 anëtarë të BE-së dhe iu adresua presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe shefit të Politikës së Jashtme, Josep Borell.

Sipas tyre nuk është e lehtë t’i besohet Rusisë, duke iu referuar statistikave për shpërndarjen e koronavirusit në vend dhe veprimet agresive ndaj shteteve fqinje.

 Deri më tani, Rusia ka raportuar rreth 4 mijë raste të të infektuarve me koronavirus dhe 34 viktima.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *