
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shprehur ngushëllimet e Shteteve të Bashkuara për popullin e Venezuelës pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin dhe shkaktuan dhjetëra viktima, përcjell DW.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Rubio tha se SHBA-ja po mobilizon menjëherë ndihma për zonat e prekura nga fatkeqësia.
“Ngushëllimet tona më të thella për popullin e Venezuelës. Zemrat tona janë me të gjithë ata që kanë humbur të afërmit e tyre, me të plagosurit dhe me ekipet e guximshme të shpëtimit që po punojnë pa u lodhur pas kësaj tragjedie”, shkroi ai.
Sipas Rubios, me kërkesë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Departamenti Amerikan i Shtetit po dërgon menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe ndihma humanitare në Venezuelë.
Ndihma amerikane vjen ndërsa autoritetet venezueliane po përballen me pasojat e dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, të cilët konsiderohen ndër më të fuqishmit që kanë goditur vendin në më shumë se një shekull.
Sipas bilancit të fundit të publikuar nga autoritetet, të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat më të prekura, veçanërisht në La Guaira, pranë kryeqytetit Caracas.