
Ish-kandidati i opozitës për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, ka deklaruar se ka fituar të gjitha proceset gjyqësore të zhvilluara ndaj tij në Gjykatën e Beratit, si dhe një çështje në Gjykatën e Tiranës, të ngritura sipas tij nga kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, dhe kompania Salillari.
Në një reagim publik, Maliqi e cilësoi vendimin si një triumf të drejtësisë dhe shprehu vlerësim për Gjykatën dhe Prokurorinë e Beratit.
“Drejtësia triumfoi! Vlerësim maksimal për Gjykatën dhe Prokurorinë e Beratit për gjykim të drejtë, për paanshmëri, profesionalizëm dhe ndershmëri. Sot, pas 3 vitesh, fitoj të 5 paditë kundër meje nga Salillari dhe Hajdari në krye të Bashkisë së grabitur të Kuçovës dhe 1 padi në Gjykatën e Tiranës”, shkroi ai.
Në reagimin e tij, Maliqi ngriti akuza ndaj Hajdarit, duke pretenduar se ai ka kryer abuzime me fondet publike dhe duke kërkuar pavlefshmërinë e mandatit të tij, shkarkimin nga detyra dhe përballjen me drejtësinë.
Ai deklaroi se do të vijojë betejën ligjore në institucionet e drejtësisë dhe në organet zgjedhore.
“Beteja morale, mediatike dhe politike është fituar, ndërsa beteja ligjore do të vazhdojë në SPAK, në Gjykatën e Posaçme, në KQZ dhe në KAS”, u shpreh Maliqi.
Ish-kandidati i opozitës përmendi gjithashtu projektet “Sineci” dhe “Viola Green”, për të cilat pretendoi se përfshijnë investime me vlerë mbi 6 milionë euro.
Ai akuzoi kryebashkiakun e Kuçovës për abuzim me taksat e qytetarëve, ndërsa shprehu bindjen se drejtësia do të vendoset për çështjet që ai ka ngritur.
Deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga Kreshnik Hajdari apo nga përfaqësues të kompanisë Salillari lidhur me deklaratat e Maliqit.