Vendosni fjalën kyçe....

Këngëtarja kroate akuzohet se u tall me himnin kombëtar, rrezikon burgun


Një këngëtare e cila performoi gjatë ceremonisë së betimit të presidentit të ri të Kroacisë po përballet me kallëzime penale për shkak të mënyrës se si e interpretoi himnin kombëtar.

Sipas kësaj padie, Josipa Lisac gjatë performancës së saj u tall qëllimisht me himnin. Por unioni i muzikantëve i ka dalë në krah artistes, duke e konsideruar padinë si një “mospërfillje të plotë të lirisë artistike”.

Sipas ligjit kroat, mosrespektimi i himnit kombëtar mund të rezultojë me një vit burgim, shkruan BBC.

Këngëtarja veterane Josipa Lisac ka fituar dhjetëra çmime gjatë karrierës së saj 53-vjeçare, dhe është e njohur për shfaqjet e saj idiosinkratike dhe sensin e modës.

Ajo këndoi e shoqëruar nga pianisti i xhazit Zvjezdan Ruzic, gjatë ceremonisë së betimit të presidentit të ri,  Zoran Milanoviç të martën.

Në një ankesë penale, Bosko Zupanoviç pretendon se këndimi i Josipa Lisac ishte “jo shoqërisht i pranueshëm” dhe theu ligjin kroat. Zupanoviç, i cili zotëron disa biznese dhe një faqe lokale në internet, pretendon se artistja këndoi në disa nota të ndryshme muzikore për t’u tallur me vendin.

“Unë nuk dua vëmendjen e mediave”- tha Zupanoviç i cili pretendon se ka bërë vetëm detyrën e tij qytetare.