Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja maqedonase shkarkohet se nuk respektoi paktin për emrin: Sulmet ndaj meje, antisemitike


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka shkarkuar sot nga detyra ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi. Kjo për shkak të mosrespektimit të Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin.

Me 62 vota pro, deputetët kanë miratuar propozimin e kryeministrit Oliver Spasovski për shkarkimin e ministres Mizrahi, e cila në këtë post ishte propozuar nga partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila me dy ministra merr pjesë në qeverinë teknike deri në zgjedhjet e 12 prillit.

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja e cilësoi këtë si një sulm antisemitik ndaj saj.

 “Ende pa u futur në qeveri si ministre e parë e komunitetit hebre u shënjestrova nga sulme antisemitike. Sulmet ndaj meje u intensifikuan kur paraqita dëshmi se Ministria ishte jofunksionale. Më në fund histeria e LSDM-së kundër një qifute Mizrahi përfundoi me një shfaqje teatrale të quajtur Tabela në Ministri, pyetni Milla Carovskën ku është tabela. Unë jam Rashella Mizrahi, një grua krenare, çifute nga Maqedonia”– tha Mizrahi gjatë debateve në Kuvend, citon REL.

Rashella Mizrahi gjatë disa deklaratave për mediat, kishte vendosur pas saj një pano me emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë”, gjë që kishte nxitur reagimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

“Ajo me këto veprime ka rrezikuar të ardhmen euroatlantike të shtetit tonë. Disa herë ia kam tërhequr vërejtjen por ajo nuk e korrigjoi këtë sjellje. Të gjithë duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin dhe institucionet duhet të funksionojnë në mënyrë të përsosur”, ka deklaruar para deputetëve kryeministri, Oliver Spasovski.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *