Vendosni fjalën kyçe....

Televizioni rus përhap teorinë konspirative: Koronavirusi u krijua nga Donald Trump-i


Përhapja e koronavirusit në Kinë është shoqëruar me përhapjen e një sërë teorive konspirative në internet.

E një nga këto teori është se koronavirusi është krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Kjo teori është përhapur nga televizioni Channel One në Rusi, ku u raportua se emërimi i virusit me fjalën “korona”, që do të thotë kurorë si në latinisht ashtu edhe në rusisht, lë të kuptohet se Donald Trump është i përfshirë në një farë mënyre.

Kjo lidhet me faktin se dikur Trump u dorëzonte fitueseve të konkurseve të bukurisë kurorën. Në fakt, shkencëtarët e emërtuan ashtu virusin për shkak të formës së tij si kurorë.

Po ashtu sipas këtij raporti, koronavirusi në Kinë është krijuar artificialisht, dhe se agjencitë e inteligjencës amerikane ose ndërmarrjet farmaceutike amerikane fshihen pas kësaj.

Raporti sipas BBC-së, gjithashtu risjell pretendimet e vjetra të Kremlinit, se SHBA-të zhvilluan një laborator në Gjeorgji, ku testohen armë biologjike te njerëzit.

Prezantuesi rus pranon se ka prova të qarta që e kundërshtojnë këtë, por shton: “Edhe ekspertët që janë të kujdesshëm në vlerësimet e tyre thonë se asgjë nuk mund të përjashtohet.”

Po ashtu thuhet se qëllimi i përhapjes së koronavirusit mund të jetë për të përfituar nga krijimi i një vaksine kundër tij, ose në rastin e SHBA-së, që të godasë ekonominë kineze në mënyrë që të dobësojë një konkurrent gjeopolitik.