Vendosni fjalën kyçe....

Hong Kongu fut në karantinë qytetarët që hyjnë nga pjesa tjetër e Kinës


Hong Kongu do t’i dërgojë në karantinë të detyrueshme për 14 ditë të gjithë vizitorët nga pjesa tjetër e territorit të Kinës, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e një koronavirusi.

Kjo praktikë do të hyjë në fuqi të shtunën.

Zyrtarët kanë refuzuar të mbyllin kufirin plotësisht, ashtu siç ka kërkuar personeli mjekësor, i cili ka hyrë në grevë.

“Kushdo që arrin nga pjesa tjetër e territorit, përfshirë edhe të huajt, do të dërgohet në karantinë për 14 ditë, nga e shtuna”, tha shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, duke mos dhënë detaje të tjera.

Hong Kongu ka 21 raste të konfirmuara me koronavirus dhe një viktimë.

Në Hong Kong janë regjistruar 300 të vdekur nga shpërthimi i virusit Sars më 2002-2003.

Në gjithë Kinën aktualisht janë 24,300 raste të konfirmuara me koronavirusin e ri, ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 490.

Koronavirusi i ri është përhapur edhe jashtë Kinës, në së paku 25 vende.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur shpërthimin e tij emergjencë globale shëndetësore.