Vendosni fjalën kyçe....

Tentativat për formimin e qeverisë, ç’pritet të ndodhë sot në Kosovë mes LDK-së dhe VV-së


Dita e sotme pritet të jetë shumë e zënë për dy partitë që pritet të qeverisin Kosovën, LDK-në dhe VV-në, që e kanë afatin e fundit për të arritur marrëveshje për koalicion, para seancës së 3 shkurtit.

Në fakt, që nga mëngjesi i hershëm, ashtu siç konfirmuan edhe zyrtarët e të dy partive për mediat në Kosovë, këto dy subjekte pritet të jenë në kontakt të vazhdueshëm për bashkërendimin e veprimeve në drejtim të marrëveshjes.

Para arritjes së marrëveshjes, të dy partitë do të mbledhin Këshillat e Përgjithshme, aty ku do të prezantohet marrëveshja në parim, ndërkaq që ky organ pritet ta votojë formalisht atë.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do t’i paraprijë edhe takimit final, ku nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, pritet të nënshkruhet edhe përfundimisht marrëveshja mes dy partive.

Në fakt, ndër ngjarjet kryesore të ditës pritet të jetë edhe paralajmërimi për dorëheqje i Glauk Konjufcës, në kuadër të propozimit të LDK-së që të arrihet marrëveshja.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së pritet të fillojë në orën 13:00, ndërkaq që nuk dihet se kur do ta bëj Vetëvendosja këtë.

Në praktikë, marrëveshja hyn në fuqi të hënën kur edhe do të mbahet seanca për votimin e përbërjes së re të Qeverisë.

Bashkë me komunitetet pakicë, VV dhe LDK aktualisht e kanë shumicën parlamentare të nevojshme.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *