Vendosni fjalën kyçe....

Edhe SHBA-ja shpall gjendjen emergjente për shkak të koronavirusit


Pas Italisë edhe SHBA-ja ka shpallur të premten gjendjen emergjente për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Deklarata vjen pasi Kina njoftoi më shumë se 10,000 raste të konfirmuara me koronavirus, si dhe pas konfirmimit të rastit të shtatë në SHBA, që sipas CNBC-së ishte një pacient që banonte në Santa Clara, Kaliforni.

Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Alex Azar, tha se shtetasit e huaj që kanë udhëtuar në Kinë në dy javët e fundit dhe nuk janë anëtarë të familjes së ngushtë të shtetasve amerikanë ose banorë të përhershëm, do të ndalohen përkohësisht të hyjnë në vend.

Azar njoftoi gjithashtu se kushdo që hyn në SHBA e që ka qenë në provincën Hubei të Kinës në dy javët e fundit, do të vendoset në karantinë për një periudhë dy-javore.

Të premten, zyrtarët e Shëndetësisë në SHBA lëshuan një urdhër federal për të ngritur një karantinë për 195 amerikanë të evakuar nga Wuhan-i, kryeqyteti provincial i Hubeit.

Grupi do të qëndrojë në një bazë ushtarake në Kaliforninë Jugore deri në mes të shkurtit, u tha gazetarëve Dr. Nancy Messonnier, drejtore e Qendrës Kombëtare për Imunizimin dhe Sëmundjet e frymëmarrjes.

“Qeveria nuk ka lëshuar një urdhër të tillë karantinë në mbi 50 vjet”, tha Messonnier.

Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar amerikanët që të shmangin të gjitha udhëtimet për në Kinë. Vendimi erdhi pasi Organizata Botërore e Shëndetit caktoi një emergjence globale të shëndetit publik.

Tani SHBA-ja ka shtatë raste të konfirmuara të virusit, duke përfshirë këtu edhe rastin e parë të konfirmuar të sëmundjes që përhapet nga një person në tjetrin në vend.

Bëhet fjalë për një pacient, që është burri i një gruaje nga Illinois që u diagnostikua me virusin në fillim të këtij muaji.

Ditën e premte në mëngjes, virusi kishte vrarë të paktën 259 njerëz, të gjithë në Kinë. Pothuajse 11.800 njerëz janë të infektuar atje, ndërsa rreth 130 raste janë shënuar në 22 vende të tjera.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *