Vendosni fjalën kyçe....

Opozita harron akuzat ndaj Gjiknurit, çfarë deklaruan palët pas tryezës


Pas përfundimit të tryezës së partive politike, ku u dakordësua një marrëveshje e parë për Reformën Zgjedhore, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri, u shpreh se në vijim do kërkohet ndihma e ekspertëve të ODIHR-it

‘Kemi një marrëveshje mes palëve politike, që opozita e bashkuar të përfshihet në diskutimet për reformën zgjedhore. Ne do të përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ekspertëve të ODIHR, që do i ftojmë të vijnë në Tiranë. Ne kemi thënë që jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën. Takimet do të jenë çështje të reformës zgjedhore. Çështja e sistemit zgjedhor nuk është një rekomandim ndërkombëtar dhe askush nuk mund të japë mendim për të. Komisioni i reformës zgjedhore vazhdon të funksionojë. Opozita ka një vend aty, por që për arsye politike nuk e ka shfrytëzuar. Ky është një vullnet i mirë për të gjetur një formë dialogu me opozitën. Mazhoranca është e gatshme të dëgjojë propozimet e opozitës’, ka thënë Gjiknuri.

Përfaqësuesi i PD-së në tryezë, Bylykbashi, tha pas takimit se palët kishin rënë dakord për nisjen e procesit të reformës zgjedhore, që sipas tij, me miratimin e dokumentit do bëhej me konsensus.

‘Sapo dakordësuam dokumentin që ne si opozitë, dhe pala tjetër, ramë dakord për fillimin e një procesi të rëndësishëm siç është ai i reformës zgjedhore. Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithëpërfshirëse dhe në këtë mekanizëm do kemi asistencën ndërkombëtare. Së fundmi, edhe pas kaq kohësh nga kërkesa jone, për të arritur këtë do të ngrihet një forum që do quhet Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer këtë reformë,’– tha Bylykbashi.

Përfaqësuesi i LSI-së, Vasili, tha se do adresohen çështjet që kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit mes palëve dhe se procesi mundëson përfshirjen e gjihë aktorëve dhe faktorëve.

I pyetur se përse opozita pranoi të ulej në tryezë me Damian Gjiknurin, Vasili tha: ‘Nuk imponojmë zgjedhjet e palës tjetër’.

Gjiknuri është akuzuar nga opozita si i përfshirë në shitblerjen e votës në zgjedhjet lokale të Dibrës, në të ashtuquajturën Dosja 184 dhe prania e tij si bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore është kundërshtuar fuqimisht prej krerëve të opozitës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *