Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë do ndodhë tani që Meta i ktheu ligjet për Median? Koloreto Cukali: Do luftojmë në dy mënyra


Një ditë pasi presidenti i Republikës Ilir Meta, vendosi të kthejë në Kuvend ‘Paketën Antishpifje’, Këshilli Shqiptar i Medias e konsideron atë një vendim “në mbrojtje të Kushtetutës dhe vlerave Europiane.”

Në një prononcim për Hashtag.al, Drejtori i Këshillit të Medias Koloreto Cukali, tha se qëndrimi i presidentit përputhet plotësisht me atë të të gjithave organizatave kombëtare e ndërkombëtare, madje me vetë qëndrimin e AMA-s.

Praktikisht, me përjashtim të Partisë Socialiste dhe institucioneve që ajo zotëron, drejton apo ka shumicën absolute, si Qeveria Shqiptare, Kreu i OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë, të gjitha institucionet dhe organizatat kombëtare e ndërkombëtare janë kundër këtij ligji i cili censuron edhe atë pak liri që ka mbetur në mediat shqiptare.

Qëndrimi i Presidentit të Republikës në këtë rast përputhet me qëndrimin e Këshillit të Medias, komunitetit të gazetarëve shqiptarë, shoqatave ndërkombëtare e lokale të gazetarëve, shoqatave kombëtare e ndërkombëtare të shoqërisë civile; ai madje përputhet edhe me qëndrimin e vetë AMA-s dhe është në një vijë me qëndrimin e Këshillit të Europës dhe të BE-së, me atë të Komisionierit të Kombeve të Bashkuara madje edhe me qëndrimin e zyrës së OSBE-së në Vjenë, e cila përmes z. Desir, (pas miratimit të ligjit) doli me deklaratën që nuk janë të lumtur me këtë produkt.”- thotë Cukali.

Si do veprojë Këshilli Shqiptar i Medias?

Z.Cukali po ashtu zbuloi se cilat do jenë veprimet që KSHM do të ndërmarrë në vazhdim, ndërkohë që dy ligjet për Mediat Audiovizive dhe Komunikimet Elektronike do kalojnë përsëri për diskutim në Parlament dhe që me shumë gjasa priten të rimiratohen. Siç ka ndodhur me mjaft projektligje të tjera të kthyera nga presidenti.

Cukali thotë se KSHM do të prezantojë sëshpejti një platformë vetërregullimi si dhe do ndërmerren hapa juridikë duke e ndjekur çështjen në gjykatat në vend dhe ato ndërkombëtare.

“KSHM dhe organizatat e tjera të medias, në përfaqësim të interesave të medias së re, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojnë ta luftojnë këtë ligj censure me dy mënyra.

Së pari ne do të prezantojmë së shpejti një platformë vetërregullimi e cila do të synojë përmirësimin  e etikës në mediat online. Së dyti, nëse Partia Socialiste dëshiron të vazhdojë me këtë projekt për mbylljen e gojës së mediave online, ne do të konsumojmë të tëra hapat juridikë në vend e jashtë tij.

Ky ligj është një tentativë për të kontrolluar median online kritike me qeverinë, dhe faktet kanë treguar që në Europën e sotme këto ligje nuk mund të jenë jetëgjata. Ne jemi shumë afër Europës dhe shanset për t’ imponuar sistemin kinez apo rus të kontrollit të medias janë të ulëta.”- thotë Cukali për Hashtag.al.

Ndërsa jep edhe gjykimin e tij për ligjet në fjalë, Cukali bën një krahasim me sistemin kinez dhe rus të kontrollit të medias. “Ky ligj është një tentativë për të kontrolluar median online kritike me qeverinë, dhe faktet kanë treguar që në Europën e sotme këto ligje nuk mund të jenë jetëgjata. Ne jemi shumë afër Europës dhe shanset për të imponuar sistemin kinez apo rus të kontrollit të medias janë të ulëta.”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu një ditë më parë për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”.

Sipas Presidentit, kjo paketë shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik dhe bie në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese ndërsa theksoi se instalonte censurë në vend.

“Paketa Antishpifje” është kundërshtuar shumë nga komuniteti i gazetarëve në Shqipëri, si dhe nga mjaft organizata të huaja. Kryesisht sepse i jep AMA-s kompetenca gjyqësore, në vendosjen e gjobave për mediat online. Në këtë paketë përfshihet dy projektligje për median, të cilat u votuan në seancën e fundit parlamentare për 2019-ën. Me 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim Kuvendi kaloi ligjin me disa amendamente të minutave të fundit nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Ligji i ndryshuar rriti gjobat ndaj portaleve, nga 400 mijë lekë, në 600 mijë lekë, ndërkohë që për televizionet vlera mbeti e pandryeshuar, 1 milionë lekë.

Por kur portali nuk zbaton vendimet e Këshillit të Ankesave (në varësi të AMA-s) dhe nuk publikon përgënjeshtrimet, gjoba shkon deri në 800 mijë lekë. Dhe kur kapet në shkelje më shumë se 3 herë brenda vitit, portali gjobitet akoma më shumë, duke shtuar 50% të vlerës së gjobës.

 

Në kohën kur dy projektligjet po kalonin në Kuvend, gazetarët ishin mbledhur në protestë para Kuvendit. Në mënyrë simbolike ata mbanin disa shalle të zinj ndërsa u bënin thirrje deputetëve të mos i miratonin. Por kjo ndodhi dhe një ditë më pas disa studentë hodhën dhe televizora të thyer para Kryeministrisë. Gazetarët kanë paralajmëruar se do ta çojnë në ligjin në Gjykatën e Strasburgut./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *