Vendosni fjalën kyçe....

“Ta shohësh njeriun si mall”- Mentaliteti i Stërkajt për të pranuar emigrantët që i përzë Anglia


Nga Arbër Zaimi

Dje dëgjova deputetin e PS-së, Paulin Sterkaj, që në komision parlamentar shprehej pro pranimit në Shqipëri të emigrantëve që i përzë Anglia duke thënë:

 “Çka është problemi, me i marrë lekët, ata paguajnë 100.000 paund për person, këtu minimumi jetik është 500 paund në muaj, pra ne mund ta strehojmë për 20 vjet”.

Problemet në rrafshin njerëzor e politik janë të stërmëdha, te ky mentalitet që shpërfaq Sterkaj, e që fatkeqësisht është mentalitet i shumëkujt.

Kjo është ta shohësh njeriun si mall, si të barazvlefshëm me lekët që t’i fiton prej tij. Të shesësh e të blesh njerëz, rrjedhimisht ta shohësh njeriun të zhveshur prej dinjitetit. As që skandalizohet njeri në politikën e Shqipërisë me këtë punë.

Pra Sterkaj mendon se, meqë Britania paguan, ia vlen të marrësh në Shqipëri njerëz që as duan të rrinë në këtë vend, as të kthehen në vendin e tyre. Njerëz që vijnë nga situata të rënda, e janë plot halle e stres, probleme për të cilat Shqipëria nuk zotëron as minimumin e kapaciteteve që të merret me to. Sterkaj si duket mendon që këta njerëz t’i mbajë të izoluar, në kampe përqendrimi, sepse përndryshe si mund të ndalen ata prej përpjekjeve për të ikur sërish në Angli? Apo mendon t’i integrojë në shoqërinë tonë, të martohen e të jetojnë mes nesh? Ky i fundit do të ishte mendim fisnik, po të mos ishte vetë shoqëria jonë tashmë e dizintegruar dhe përzënëse, aspak ambient i përshtatshëm për t’u integruar, falë partive neoliberale mafioze dhe politikanëve që njohin si vlerë veç paranë.

A do të pranojë Shqipëria të bëhet një nga skëterrat ku flaken të padëshiruarit e vendeve të pasura – kundrejt pagesës? Kjo është çështja që Stërkaj e paska zgjidhur. Sepse “safe heaven” ajo është vetëm për njerëzit e sërës së Stërkajt.