Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi për ngritjen e SPAK-ut: Koha e kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur prej tij ka mbaruar


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar se ngritja e SPAK-ut, është një moment shpresëdhënës dhe zhvillim i rëndësishëm që pritej prej kohësh.

Ajo shkruan se beson se ky institucion i sapongritur do funksionojë i pandikuar nga politika e presioni.

‘Përshëndes krijimin e SPAK si një zhvillim i rëndësishëm i pritur prej kohësh i Reformës në Drejtësi.

Fillimi i aktivitetit të SPAK është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë dhe për sundimin e ligjit. Ne besojmë që një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë do të veprojë i pandikuar nga presioni i çfarëdolloj dhe i pandikuar nga politika.’ – shkruan ajo.

Më tej Kryemadhi thekson se ngritja e SPAK-ut pritet të sjellë një frymë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët dhe për barazinë para ligjit dhe se koha e kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti ka mbaruar.

‘Ngritja e Strukturës së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit do sjellë një erë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët e thjeshtë dhe për barazinë përpara ligjit. Koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti, ka mbaruar. Me këtë rast përshëndes dhe angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për mbështetjen e vazhdueshme për krijimin e kësaj strukture kaq të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.’ – mbyll reagimin në Facebook, Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *