Vendosni fjalën kyçe....

Balla në Emiratet e Bashkuara: Do ishim mirënjohës edhe për një mbështetje financiare


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndodhet sot në Abu Dabi, ku është takuar atje me princin e kurorës, sheikun Mohammed bin Zayed al Nahyan.

“Sot i ftuar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe Abu Dabi, pata mundësinë të takoja LT Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dhabit, të cilin e falenderova për solidaritetin që Ai tregoi për Shqipërinë menjëherë pas fatkeqësisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit. Duke e informuar për situatën aktuale dhe vlerësimin paraprak të dëmeve të shkaktuara, Shqipëria do t’i ishte mirënjohëse Emirateve të Bashkura edhe për një mbështetje financiare për rindërtimin e mijëra banesave si dhe të shkollave dhe qendrave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti. “– shkruan Balla.

Ai thotë se princi i kurorës së Abu Dabit iu përgjigj me fjalët “Jemi vëllezër” dhe se Emiratet e Bashkuara të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë edhe për rindërtimin.

Populli i emirateve të bashkuara i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave dhe i qëndron pranë popullit shqiptar në këto momente të vështira.

Balla u takua edhe me kryetarin e sapo zgjedhur të Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Sh.T.Z. Saqr bin Ghubash Saeed Ghubash. Tema kryesore e bisedës edhe me të ishte nevoja e mbështetjes së Shqipërisë në fazën e rindërtimit. Por kanë diskutuar edhe për tema të tjera.

“Rikonfirmuam nivelin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve tona, si dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare ku bëjmë pjesë.

Kuadri i marrëveshjeve bilaterale të firmosura mes dy vendeve dhe të ratifikuara nga dy parlamentet është i plotësuar, i cili ndikon drejtpërdrejtë intensifikimin e investimeve të ndërsjellta dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare. Është shumë e rëndësishme që EBA të heqin vizat për qëllim turizmi për qyetarët shqiptarë si dhe vendosja e një linje direkte fluturimi me Tiranën.

Aktualisht kemi në zbatim disa marrëveshje bashkëpunimi me ADFD (Abu Dhabi Fund for Development) sikurse është edhe projekti i Buleverdit të Tiranës.”– thotë Balla.

Në këto takime në Emiratet e Bashkuara, ishte i pranishëm edhe presidenti i Këshillit Global për Paqen dhe Tolerancën Sh.T.Z. Ahmed Bin Mohamed Al Jarwan, i cili do të vizitojë në javët në vijim Shqipërinë, për të parë nga afër nevojat e vendit në procesin e rindërtimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *