Vendosni fjalën kyçe....

Rama kërkon bashkim të fondeve të shoqatave me qeverinë: S’dua të çohet njëri dhe të bëjë një shtëpi pa u dakordësuar


Në mbledhjen e sotme të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që fondet e siguruara nga shoqatat, donatorët e huaj dhe bizneset, të bashkohen me ato të qeverisë dhe që puna për rindërtimin të bëhet sipas një plani të përbashkët.

Ai shtoi se ka ftuar edhe arkitektë të huaj për rindërtimin e banesave që janë shembur nga tërmeti. 

 “Nuk do të doja të fusnim hundët në punët e tyre (shoqatat), por të arrijmë që fondin e buxhetit dhe të qytetarëve. Ajo që ne duam të imponojmë është që të bëjmë maksimumin mos të ketë veprime sporadike. Mua nuk më pëlqen ideja që në këtë situatë të çohet njëri dhe niset me zemër të mirë dhe bën një shtëpi, pa qenë paraprakisht i dakordësuar mbi një plan dhe disa standarde.

Në mbledhjen e ardhshme do të kemi shumë informacion. Ka vende ku rindërtimi po aty është gjëja më normale, por ka vende ku prishja aty dhe rindërtimi në një vend tjetër është oportune. Apo ka familje që janë në fshat, dy kategori; që kanë tokën e tyre, bagëtinë dhe prodhimin dhe nuk ikën dhe je i detyruar të ndërtosh atje. Ka të tjerë që nuk e kanë tokën e tyre, dhe si mund të rindërtojmë atje, kur nuk e kanë tokën e tyre. Mund të ofrojmë një zgjidhje për të ardhur pranë qytetit. Kemi ftuar edhe arkitektë të huaj për të krijuar një masë projektesh mbi disa standarde. Në këto shtëpi të rrënuara duhet të cojmë një standard të ri për jetën e re që do të nisë”– tha Rama.

Më pas kryeministri shtoi:“Qeveri me 7 buxhete s’ka. Të vendosen të gjitha buxhetet në një dhe të bëhet koordinimi dhe monitorimi. Të gjendet mekanizmi me të gjithë kontributorët. Ne s’e kemi problem këtë gjë. Por që buxheti të jetë një është më e mira e mundshme.”