Vendosni fjalën kyçe....

Bie në humnerë autobusi në Tunizi, humbin jetën 22 turistë


Një autobus me turistë është aksidentuar rëndë në malet e veriut të Tunizisë, duke lënë të vdekur 22 turistë dhe të lënduar 21 të tjerë. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Brendshme e këtij shteti.

Në faqen e kësaj ministrie në Facebook thuhet se autobusi ishte duke lëvizur në rajonin Ain Snoussi kur e kaloi një pengesë metalike dhe ra në humnerë.

Mediet lokale publikuan fotografi të një autobusi të rrotulluar dhe të shtypur në fundin e një kodre.

Të gjithë pasagjerët ishin nga Tunizia, njoftoi Ministria e Brendshme. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Khaled Lahyoune, tha se në autobus ndodheshin 43 pasagjerë, ndërsa 21 persona të mbijetuar janë dërguar shpejt në spital.

Aksidentet fatale janë mjaft të shpeshta në Tunizi. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të vitit 2015, Tunizia e ka shkallën më të lartë të vdekjeve në trafik për kokë banori në Afrikën Veriore, pas Libisë së rrënuar nga lufta.

Ekspertët thonë se shkaktarë kryesorë të aksidenteve janë gjendja e dobët e rrugëve, vozitja e rrezikshme dhe problemet teknike të automjeteve, shkruan “France24”.